E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi e Jahjaga nuk hyjnë në kullën e Jasharajve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh në varrezat e dëshmorëve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, në Prekaz, në 15 vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar, Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Edhe pse dy krerët më të lartë të Republikës së Kosovës shkuan për t’i nderuar të rënët e familjes Jashari, ata nuk hynë në Kullën e kësaj familjeje për t’i vizituar.

Kryeministri Thaçi ka thënë se rënia e komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari ka bashkuar gjithë shqiptarët.

“Çdo rënie është e dhimbshme, por kjo rënie ka qenë ajo që e ka bashkuar popullin e Kosovës. Kjo rënie ka qenë ajo që ka ngritur në këmbë gjithë shqiptarët kudo që jetonin; që i ka bashkuar rreth idealit për çlirimin e Kosovës; për ndërtimin e Kosovës së pavarur dhe sovrane”, ka thënë kryeministri Thaçi.

Edhe Presidentja Atifete Jahjaga ka vlerësuar lartë veprën sublime dhe heroike të Jasharajve dhe gjithë dëshmorëve të kombit të cilët flijuan jetët për liri. 

Ajo tha se vepra e Komandantit Legjendar Adem Jashari është bazamenti i përpjekjeve për liri, si dëshmi e fuqishme për t’i dalë zot atdheut dhe për të jetuar të lirë.

“Epopeja e Jasharajve shënon veprën më sublime të heroizmit dhe të flijimit për lirinë. Vepra e Komandantit legjendar të UCK-së, Adem Jashari është bazamenti i përjetësimit të të gjitha përpjekjeve tona shekullore për liri, duke dëshmuar vullnetin dhe organizimin për t’i dalë zot atdheut, për të jetuar të lirë, për të pasur një të ardhme të sigurt për të gjithë brezat e ardhshëm për Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, për Kosovën shtet anëtar të Bashkimit Evropian, NATO dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Presidentja Jahjaga.

Për dallim nga Kryeministri dhe Presidentja, Kryeparlamentari Krasniqi pas homazheve ka vizituar familjen Jashari.

Me këtë rast, kreu Kuvendit u shpreh:" Duke iu falënderuar jetës dhe veprës së komandantit Legjendar dhe familjes së tij legjendare, është bërë ajo kthesa e madhe ku shqiptarët pas pesë, gjashtë dhe shtatë marsit të vitit 2008, e mundën frikën dhe e përqafuan vendosmërisht guximin. Guxim që na e dhuroi lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë sot"

Edhe Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Prekaz.
Mustafa tha se kanë ardhur t’i nderojnë dëshmorët e kombit dhe familjen Jashari, e cila ka sakrifikuar gjithçka për lirinë e vendit.

“Erdhëm të bëjmë nderime të dëshmorët e kombit, që përfaqësohen nga familja Jashari. Familje kjo e cila dha viktimat më të mëdha për luftën çlirimtare të Kosovës dhe e cila meriton nderimet më të mëdha, jo vetëm të popullit të Kosovës, por të gjithë shqiptarëve. Sepse është një familje e cila ka sakrifikuar për lirinë dhe pavarësinë e këtij vendi dhe shtetin e Kosovës. Ne do të angazhohemi vazhdimisht, që të respektojmë luftëtarët tanë, të respektojmë familjen Jashari dhe komandantin Legjendar. Mbi këto emblema të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, të ndërtojmë një shtet dinjitoz”, pohoi Mustafa.

Ndërkohë që në Prekaz qëndroi edhe Ish presidenti i vendit, Fatmir Sejdiu me bashkëshorten e tij. Sejdiu tha se shëmbëlltyra e familjes Jashari është unikate, jo vetëm për shqiptarët dhe për Kosovën, por për të gjithë ata që e duan lirinë. Duke çmuar lartë vlerat, veprat dhe sakrificën e familjes Jashari dhe të vetë Komandantit Legjendar Adem Jashari, ish presidenti Sejdiu tha se akoma duhet shumë punë për të bërë, për të realizuar deri në fund amanetin e tyre dhe të të gjithë atyre që u flijuan për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

Sejdiu më pas vizitoi edhe familjen Jashari, ku u prit nga kryefamiljari Rifat Jashari./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›