E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Vrasjet në familje dhe për gjakmarrje, dënime më të rrepta

Kryeministri Sali Berisha mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave e konsideroi si ditën e reformave të mëdha, ku ai propozoi disa ndryshime, në kodin civil, në arkivimin e informacioneve, urbanistikës etj.

Ai konstatoi se është e domosdoshme ndërhyrje në dy drejtime; nxitjen e prodhimit nëpërmjet heqjes së taksës dhe tarifave mbi prodhimin dhe së dyti në drejtim të krahut të punës.

“Pra nëse ekonomia shqiptare arriti të ruajë rritjen ekonomike, arriti të mos bjerë në recension, arriti të kontrollojë borxhin, të ruaj stabilitetin makroekonomik, kjo për shkak të referomave që ndërmorëm. Në mënyrë që ekonomia shqiptare të rritet dhe shqiptaret të punësohen janë të domosdoshme ndërhyrje në dy drejtime. Së pari nxitje e prodhimit nëpërmjet heqjes së taksës dhe tarifave të tjera mbi prodhimin; së dyti, është në drejtim të krahut të punës. Në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare, krahu ynë i punës është i stabilizuar, krahu ynë i punës është më i kualifikuari, sigurish që ka vend edhe për ndryshime. Ndërhyrja që bëmë duke hequr tatimin mbi të ardhurat personale prej 10% dhe duke marrë përsipër përballimin e taksave për të rrinjt që punësohen për tre vjet, janë reforma shumë të rëndësishme që do të kenë ndikim në punësim”,- tha Berisha.

Duke trajtuar problemet e fshatit, kryeministri tha, "Unë e di se fermërët shqiptarë, afaristët, biznesmenët, janë duke pritur që disa vendime të jenë në fuqi. Do të thoja se edhe nëse ka mbetur ndonjë sugjerim i tyre jashtë listë, ajo në frymë e në parim është në listë, dhe vendosja e saj është vetëm çështje burokracie, pasi është pashmangshme."

Lidhur me industrinë e peshkimit, Berisha tha se, “listës i shtohen të gjitha mjetet e peshkimit dhe gjithçka për industrinë e tij. Listës i shtohen të gjitha ushqimet dhe mjetet e domosdoshme që përdoren në akuakulturë por pa dëmtuar prodhimin vendas. Ne kemi vendosur që të heqim taksën nga gjithçka që rrit prodhimin, duke mos dëmtuar atë vendas, p.sh. për farën e grurit. Këtë e pritën shumë mirë fermerët e Lushnjës, sepse vendosëm që do të përdoret ajo e vendit. Madje, edhe ajo e vendit do shitet pa TVSH, duke u kompletuar me heqjet e reja të TVSH-së dhe të çdo tarife doganore."

Plan për të decdentalizuar urbanizimin

Ndryshime ligjore njoftoi Berisha edhe në funksion të decentralizimit të kompetencave të pushtetit vendor.

“Me ndryshimet në ligjin e Urbanistikës, (të miratuar nga Bashkia e Tiranës e kryesuar nga Lulzim Basha), ligj të cilin paraardhësi i tij se bëri dot për 11 vjet duke e premtuar për çdo vit, është bërë e mundur të shkëputemi nga qëndrimet centraliste, të trashëguara nga koha e diktaturës komuniste. Është koha që qeveritë vendore që kanë planet rregulluese si kushtetutë të territorit që administrojnë, të kenë të gjitha kompetencat të pandikuara nga qeveria qendrore, përveç objekteve të karakterit kombëtar”, tha ai.

Dënime më të rrepta për autorët e krimit në familje dhe vrasjet për gjakmarrje

Berisha deklaroi me tej se do te ketë ndryshime në Kodin Penal ku do përfshihen dënime më të rrepta për autorët e krimit në familje, vrasësit e policëve dhe vrasjeve për gjakmarrje.

“Së shpejti do të paraqesim për miratim një paketë ndryshimesh në Kodin Penal që synon t’i japë përgjigjen e merituar situatës së krimit në vend. Nëse burri e konsideron gruan si një skllave që mund ta vrasë kur t’i teket, natyrisht që policia ka vendin e vet, por rolin kryesor e ka shoqëria. Ai ligj që para pak vitesh mezi vepronte tani do i kujtojë atij që ngre dorën ndaj familjarëve të vetë se do marrë gjykimin më të rreptë nga ligji”,- shtoi ai. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›