Mumajesi, çmimi i dytë në Balkan Music Awards
Kantautori Florian Mumajesi fitoi çmimin e dytë në edicionin e parë të festivalit “Balkan Music Awards”, 2010. Ai përfaqësoi Shqipërinë me këngën “Playback”, e cila është shpallur edhe kënga “Hit” në festivalin “Kënga Magjike 2009”. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua mbrëmjen e së dielës në sheshin Aleksandër Vademberg të Sofies, në Bullgari. Votimi u realizua përmes sms-ve përgjatë 2 orësh spektakël. çmimin e parë, si kënga më e mirë ballkanike 2009 e meritori “Ljubavi”, kënduar nga Zhelko Joksimoviç, me 39 pikë. Ndërsa Mumajesi e ka humbur vendin e parë vetëm për dy pikë. Në vend të tretë u rendit grupi rumun “Acsent” me këngën “That’s my name”. Në këtë natë çmimesh u kënduan 11 këngë nga Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bullgaria, Sllovenia, Turqia, Bosnja Hercegovina, Rumani, Greqi dhe Kroacia. Në këtë konkurs, Mumajesi paraqitej dhe si kompozitor me këngën “Fluturimi 3740”, por që përfaqësonte Bullgarinë. Të tjera çmime ishin për “Artisten më të mirë” fituar nga Ana Visi, e cila u nderua dhe me çmimin special të karrierës. çmimin si “Grupi më i mirë” e fituan rumunët “Acsent”, ndërsa “Artisti më i mirë” u shpall këngëtari serb, Zhelko Joksimoviç.