E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për pesë ditë mbyllet shkolla, ja kush rrezikon maturën



Vetëm 5 ditë i ndajnë maturantët nga mbyllja e vitit shkollor. Më tej, ata do t’u nënshtrohen provimeve të detyrueshme dhe atyre me zgjedhje. Në rast se një maturant është mbetës në një apo më shumë prej tyre, atëherë nuk do të bëhet pjesë e procesit të Maturës Shtetërore. Po kështu automatikisht janë përjashtuar të gjithë ata nxënës që nuk kanë plotësuar formularin A1. Por ndryshe nga vitet e mëparshme, Ministria e Arsimit u ka bërë një lehtësi mjaft të madhe maturantëve. “Rezultatet e secilit provim të maturës nuk kushtëzojnë hyrjen në provimet e tjera”, thuhet në rregullore. çka do të thotë se të gjithë nxënësit do të mund t’u nënshtrohen provimeve me zgjedhje edhe në rast se mbesin në ndonjërin nga provimet e detyruara. Ndonëse kjo kategori maturantësh nuk mund të aplikojë për në universitet, notat e provimeve me zgjedhje mund t’i mbartin për vitin që vjen. “Maturantët që nuk kanë plotësuar formularin A1 gjatë periudhës së parashikuar kanë të drejtë ta plotësojnë atë gjatë periudhës nga data 6-10 shtator dhe të fitojnë të drejtën për të dhënë provimet në sesionin e dytë”, përcakton rregullorja. Pra, nxënësve do t’u jepet një shans i dytë në sesionin e vjeshtës për të ridhënë provimet e detyruara. Pas mbylljes së vitit shkollor deri në ditën kur do të jepet provimi i parë i detyruar, do të zhvillohen konsultime nga mësuesit e lëndës për çdo paqartësi që vetë nxënësit mund të kenë. Për të dyja lëndët e detyruara është vendosur që ndërmjet datave të provimeve të zhvillohen një javë konsultime për të gjithë nxënësit bashkë. Ndërsa për lëndët me zgjedhje, periudha e përgatitjes me mësuesit do të zhvillohet e grupuar sipas preferencave të përzgjedhura nga vetë maturantët. Janë rreth 30 mijë maturantë në të gjithë vendin, që garojnë për në universitet këtë vit. Këta të fundit do të përfshihen në provimet e Maturës Shtetërore si për lëndët e detyruara, ashtu dhe për ato me zgjedhje. Bazuar në kuotat e pranimeve të propozuara nga fakultetet për vitin 2010-2011, do t’u japin të drejtën më shumë se 20 mijë maturantëve për të ndjekur studimet e larta publike. Tezat e provimit si për lëndët e detyruara, ashtu edhe për ato me zgjedhje, do të përmbajnë pyetje me alternativa si dhe pyetje me shtjellim. Në bazë të përgjigjeve do të jepet dhe vlerësimi me pikë. Për këtë vit kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në Institucionet e Arsimit të Lartë Publik vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e maturës. Renditja dhe shpallja e fituesve për programet e studimit, që kanë si kusht edhe konkursin e veçantë, si: Arkitektura, Edukimi Fizik, degët e Akademisë së Arteve, renditja e fituesve do të bëhet me një tjetër formulë. Në këto raste merren parasysh edhe pikët e konkursit.

Përjashtohen nga provimet

Nxënësit që nuk janë kalues në një nga lëndët e programit mësimor të vitit të katërt.
Nxënësit që nuk kanë plotësuar formularin A1.
çdo maturant mbetës në provimet e detyruara ( D1 dhe D2) ka të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë (të vjeshtës), por nuk ka të drejtë të konkurrojë për programet e studimit në IALP.
Formula e pikëve
Renditja e kandidatëve fitues do të bëhet sipas formulës tradicionale të Maturës Shtetërore (D1 + D2 + M) x Ksh + Z1 x K1 + Z2 x K2]. Ksh është koeficienti i shkollës, K1 është koeficienti për provimin e parë me zgjedhje dhe K2 koeficienti për provimin e dytë me zgjedhje. Secili nxënës mund të llogarisë afërsisht sa pikë mund të fitojë, duke njohur vlerësimet e veta. Në këtë mënyrë do të orientohet më mirë për të kërkuar programin e studimit që dëshiron të vazhdojë në institucionet e arsimit të lartë publik.
Data e provimeve të Maturës 2010:
Gjuhë shqipe dhe Letërsi 01 qershor 2010
Matematikë 15 qershor 2010
Provimet me zgjedhje (Z1 dhe Z2) 30 qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›