E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mund të mbetet në L.A. Galaxy

Nga Express më 14 prill 2011 në ora 09:57

Ylli anglez, David Beckham ka njoftuar se mund të mbetet në kampionatin amerikan, Major League Soccer, me klubin aktual Los Angeles Galaxy edhe për një sezon.

Beckham po e kalon vitin e pestë në Los Angeles, pasi lëvizi atje nga klubi spanjoll Real Madrid. Veterani anglez ndihet mirë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe po e shijon eksperiencën atje.

Kontrata e 35 vjeçarit skadon në fund të vitit 2011, kur përfundon MLS Cup në muajin nëntor, por përfaqësuesi anglez ka filluar t’i bëjë planet qysh tash. “Po, ka mundësi që të luaj këtu edhe një vit, edhe pse ende nuk e kam marr ndonjë vendim përfundimtar se ku do të jem vitin tjetër”, tha ‘Becks’ të mërkurën para mediave në Toronto.

“Momentalisht jam 35 vjeç, në maj do të jem 36, po bëhem më i vjetër. Kështu që më duhet ta shikoj se si do të ndihet trupi im në fund të sezonit. Nëse ndiej se mund të luaj ende, atëherë do të vazhdoj”, theksoi ish futbollisti i Manchester United, i Real Madridit e i Milanit.

Beckham e pranon se ende ka dëshirë që të luajë futboll. Këtë sport e do njëjtë sikur ishte i ri dhe ndihet ende në formë. Beckham nuk e ka fituar asnjëherë titullin e kampionit në SHBA.

Ky është edhe një motiv shtesë pse ai dëshiron të luajë edhe një vit për ta provuar një gjë të tillë. Aktualisht, Galaxy gjendet në pozitën e tretë në tabelë, me 8 pikë të grumbulluara nga 5 ndeshje të zhvilluara këtë sezon.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›