E Diel, 1 Nëntor 2026

‘El Nino’, dështim - ‘Chicharito’, mrekulli

Nga Express më 14 prill 2011 në ora 09:58

Fernando Torres e shfaqi edhe një lojë mizerie të martën mbrëma, kur Chelsea u eliminua në çerekfinale të Ligës së Kampionëve nga Manchester United. Njeriu që u kushtoi 50 milionë funte (afro 60 milionë euro) pronarit të ‘Blues’, Roman Abramovich, nuk i arsyetoi aspak këto para.

Sulmuesi spanjoll që nga zbarkimi i tij në Londër nga Liverpooli, nuk ka arritur ende ta gjejë rrjetin. E njëjta gjë nuk vlen edhe për sulmuesin e Manchester Unitedit, Javier Hernandez. Mediet britanike e kanë bërë një krahasim në mes të shpenzimeve të Chelseas dhe Manchester United në sulm.

Për dallim nga londinezët, strategu Sit Alex Ferguson shpenzoi vetëm 7 milionë funte (rreth 10 milionë euro) për ta transferuar në ‘Old Trafford’ sulmuesin meksikan. ‘Chicharito’ nuk zhgënjeu aspak. Ai nuk po ndalet së shënuari, duke e lënë në hije sulmuesin bullgar Dimitar Berbatov, që pati një nismë fantastike të sezonit.

Hernandez e shënoi golin e parë të martën mbrëma në fitoren 2-1 të ‘Djajve të Kuq’ ndaj ekipit të Carlo Ancelottit. Në përgjithësi, në të gjitha garat, 22 vjeçari ka realizuar 18 gola. Nëse e bëjmë një krahasim, kontributi i Torres, i cili nuk shënon që 692 minuta, është zero në krahasim me atë të meksikanit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›