E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter, pas Hetemajt

Nga Express më 14 prill 2011 në ora 12:27

Interi i vëzhgon me kujdes futbollistët e rinj nëpër Evropë. Por, duket se ekipi Nerazzurr po shikon edhe brenda kampionatit italian, ku mediat e këtij vendi raportojnë se ky ekip ia ka mësyrë mesfushorit kosovar Përparim Hetemaj.

Ky fakt nuk do ta befasonte aspak menaxherin e futbollistit, Davide Lippi. “Hetemaj në shënjestër të Interit? Nuk do më befasonte kjo. Mirëpo, me Nerazzurrët nuk kemi pasur asnjë kontakt”, thotë Lippi për ueb faqen Ilsussidiario.net.

25 vjeçari po i shfaq shkathtësitë e tij këtë sezon me Brescian. Përfaqësuesi finlandez është bërë pjesë e rëndësishme e këtij ekipi, i cili synon të mbetet pjesë e elitës së futbollit italian. Ditë më parë flitej se edhe Fiorentina, përmes drejtorit sportiv Pantaleo Corvino, gjithnjë e më shumë po e zgjon kureshtjen për këtë lojtar.

“Hetemaj po luan mjaft mirë në Brescia, edhe pse ka arritur vonë në Itali (në janar 2010). Për këtë mund t’ju konfirmoj se janë disa skuadra që e vëzhgojnë”, vazhdoi Lippi. Në të kaluarën, edhe Roma kishte lëvizur në këtë aspekt. Nëse Brescia bie në Serie B, shitja e Hetemajt do të ishte e pashmangshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›