E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hallakamë në volejboll

Mosmarrëveshjet në Federatën e Volejbollit të Kosovës (FVK) po vazhdojnë. Kemajl Luzha ka dhënë dorëheqje nga bordi i FVK’së, pasi mendon se krerët e këtij institucioni po punojnë për interesat e tyre duke shkelur rregulloren. Por, numri një i volejbollit kosovar, Xhavit Mustafa, mohon akuzat. Nga Moral Pozhegu më 14 prill 2011 në ora 09:59

Udhëheqësit e Federatës së Volejbollit të Kosovës (FVK) po vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje me disa anëtarë të bordit dhe drejtues të klubeve. Si pasojë e kësaj, Kemajl Luzha ka dhënë dorëheqje nga bordi i FVK’së.

“Të nderuar ju, anëtarë të bordit të FVK’së, duke pasur parasysh se unë, Kemajl Luzha, anëtar i bordit, i zgjedhur nga delegatët e FVK’së, përkundër dëshirës sime për ta ndihmuar volejbollin që të shkojë përpara, kjo dëshirë e imja nuk po realizohet për interesa të disa individëve që po e udhëheqin Federatën e Volejbollit, kam vendosur që të jap dorëheqje nga bordi”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

Luzha, i cili njëherësh është edhe kryetar i klubit ‘Akpa Te Luzha’ nga Ferizaj, në një komunikatë të lëshuar për media ka treguar arsyet e largimit të tij nga FVK’ja.

“Arsyet pse nuk ia vlen të humbi më kohë me këtë bord janë: Moskompletimi i bordit me një minoritet dhe një femër sipas rregullores, moszgjedhja e sekretarit të Federatës, mosprezantimi i pasqyrës financiare në asnjë mbledhje të bordit, organizimi i dobët i zgjedhjes së sportistit të vitit, moszgjedhja e shumë komisioneve nga ana bordit, largimi i administratorit pa vendimin e bordit, regjistrimi i ndeshjes me rezultat zyrtar pa proces dhe pa vendim të bordit, largimi im nga Komisioni për Regjistrim të Lojtarëve pa asnjë arsye, përpjekja e komisarit të garave për të më larguar nga bordi, moszbatimi i rregullores për pagesën e anëtareve të bordit, etj”, thuhet në komunikatën e Luzhës.

Mirëpo, ai nuk ndalet me kaq. Sipas tij, arsye tjetër që e ka detyruar të japë dorëheqje është edhe moszbatimi i vendimeve që i merr bordi gjatë mbledhjeve. Po ashtu, arsye tjetër është edhe moszhvillimi i ndeshjeve.

“Kapakun e të gjitha këtyre e vendos kur komisari merr vendim për përsëritjen e lojës Theranda – Akpa Te Luzha dhe dënon lojtarin tonë me tri ndeshje pa asnjë arsye. Kurse organizatori, i cili ishte shkaktari kryesor i ndërprerjes, nuk dënohet, ngase është ekipi i kryetarit dhe nuk bën t’i merret loja siç parasheh rregullorja. Kurse kryetari në mbledhje i mbron interesat e klubit te tij. Unë nuk dua të jem vegël e askujt”, thuhet në fund të komunikatës.

Në anën tjetër, kryetari i FVK’së, Xhavit Mustafa, i ka hedhur poshtë këto akuza. Në emër të institucionit të cilin e drejton, Mustafa ka thënë se Kemajl Luzha është dashur të ‘dëbohet’ më herët nga kjo federatë, pasi që ka bërë shkelje të njëpasnjëshme.

“Nuk qëndron aspak ajo që e thotë Kemajl Luzha. Ai financon 5 klube të Superligës, kështu që në këtë rast ka konflikt interesi. Ai ka menduar që mund ta blejë edhe Federatën, por mund t’i them atij se Federata nuk shitet. Dorëheqja e tij lidhet me interesa personale. Nëse i bën disa mijëra euro dhe zbret prej qiellit, nuk do të thotë se mund të bësh çka të duash në Federatë. Ai ka vepruar kundër statutit, nuk e ka pasur vendin këtu, është dashur ta largojmë ne më herët”, deklaroi Mustafa për Express.

Javë më parë, disa prej klubeve të Superligës së volejbollit kishin shprehur pakënaqësitë e tyre me politikën e udhëheqësve të FVK’së. Marrëdhëniet në mes tyre ishin përkeqësuar edhe më shumë, pas një vendimi të Federatës që gjyqtarët e ndeshjeve të paguhen nga vetë klubet. Klubet nuk e pranonin këtë vendim, pas të cilit kërcënuan me tërheqje nga garat.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›