E Diel, 1 Nëntor 2026

Pagesa e invaliditetit; Shtohen përfituesit

Personat që përfitojnë nga pagesa për personat me aftësi të kufizuara janë gjithnjë në rritje. Këtë deklaroi dje drejtori i Shërbimit Social Shtetëror (SHSSH), Mihal Naço. “Numri i përfituesve të pagesës së PAK-së po shënon rritje. Gjatë vitit të kaluar u trajtuan me këtë pagesë 113 496 persona me aftësi të kufizuar, ndërkohë që sipas të dhënave të fundit statistikore për periudhën janar-gusht 2008, me fondet e buxhetit të shtetit u trajtuan 116 960 persona nga të cilët: 55 621 persona me diagnoza të ndryshme, prej të cilëve: 10 690 persona të verbër nga të cilët 3381 përfitojnë kujdestari; 3 340 persona para e tetraplegjikë nga të cilët 3238 përfitojnë kujdestari; 47 309 invalidë pune”, – tha ai. Sipas tij, rritja ka qenë më e lartë në invalidët e punës dhe në kategorinë e përfituesve të shërbimit të kujdestarisë. Shpërndarja e përfituesve të pagesës së paaftësisë sipas ndarjes bashki-komuna është: në bashki 54,7% dhe komuna 45,3 %. “Kjo tendencë rritjeje e numrit te PAK-së shpjegohet me ndryshimet në legjislacion. Këto ndryshime favorizojnë kategori të cilat nuk përfshiheshin më parë në skemë. Kështu, është hequr kufiri 0-21 vjeç që kushtëzonte përfitimin e pagesës për PAK-në. Po ashtu është hequr kufizimi që, nga të sëmuret paraplegjikë dhe tetraplegjikë janë përfitues vetëm ata persona me anë dëmtime të shtyllës kurrizore”, – deklaroi Naço. Sipas drejtorit të SHSSH-së, një tjetër tendencë që shpjegon rritjen e numrit të kërkesave për PAK-në është ndërgjegjësimi i familjarëve të personave me aftësi të kufizuar, për t’i deklaruar ata si të tillë e jo më për t’i fshehur. Tashmë ata jo vetëm që nuk ngurrojnë të paraqitin kërkesat për paaftësinë, prezente në familjet e tyre, por kërkojnë të komisionohen dhe të kërkojnë përfitimin që u takon.

Politikat arsimore

Vazhdon seriali Shamku-MASH

Seriali i akuzave dhe kundërakuzave mes kryetares së Komisionit të Arsimit në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Ledi Shamku, dhe Ministrisë së Arsimit për politikat arsimore ka vazhduar edhe dje. Shamku reagoi dje ndaj deklaratave të Kryeministrit Sali Berisha në lidhje me arsimin dy ditë më parë, duke marrë përgjigjen e menjëhershme të Ministrisë së Arsimit. “Por taksa rëndon mbi familjet shqiptare dhe vetëm mbi ato, të cilat shtrëngohen të zgjedhin shkollimin privat, ngaqë shkollat publike janë nga 50 e 60 vetë në klasë, ngaqë fillorja bëhet me 3 turne, ngaqë kjo qeveri i shndërron mësuesit në skllevër të dhunës politike”, - tha Shamku.

“MASH-i shpreh edhe një herë publikisht keqardhjen e saj për këmbënguljen e PS-së për të hedhur në qarkullim shifra mashtruese për gjendjen e arsimit në vendin tonë.

Përsërisim, është mashtrim publik të thuash se arsimi privat në Shqipëri është hapur ngaqë klasat janë nga 50-60 nxënës, – deklaroi Ministria e Arsimit. - Asnjë klasë në Tiranë nuk është me 50 e 60 nxënës, sa thotë PS-ja. Numri mesatar i nxënësve në Tiranë është 35 për klasë në shkollat e mesme dhe 33 për klasë për ciklin e arsimit bazë”.

Akuzat e kundërakuzat ndërmjet dy institucioneve kanë qenë pikë e vazhdueshme e debatit arsimor muajt e fundit, ndërkohë, duket se ende në këtë debat asnjëra palë nuk ka përfshirë mësuesit dhe pedagogët, krijuesit e drejtpërdrejtë të cilësisë arsimore.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›