E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet pas 8 vjetësh i kërkuari për vrasje



Ilir Qoses iu vunë prangat nga forcat e rendit, teksa ai ishte duke qëndruar në shtëpinë e tij në Bilisht

Kërkohej prej 8 vitesh për vrasje, policia e arreston ndërsa pushonte në shtëpinë e tij. Burime nga policia e Korçës njoftuan se kishin arrestuar Ilir Qosen, i cili ishte dënuar nga drejtësia me 20 vjet heqje lirie për veprën penale të vrasjes. I akuzuari kishte tetë vjet që kishte arritur që t’i shmangej arrestimit, ndërsa dje policia ka arritur që ta arrestojë, teksa ai gjendej në shtëpinë e tij në Bilisht të Korçës. Qosja akuzohej për vrasjen e një emigranti me qëllim grabitjen e tij dhe prej ditës së krimit ishte në arrati.

Operacioni

Policia njoftoi se agjentët kundër krimit kishin marrë informacion në rrugë operative për vendndodhjen e të kërkuarit në Bilisht dhe menjëherë kanë organizuar operacionin për kapjen e tij. Oficerët e policisë kanë shfrytëzuar momentin kur ai ndodhej në banesë për të bërë arrestimin. Pasi kanë rrethuar të gjithë banesën, ata janë futur brenda saj, duke mos i lënë asnjë mundësi largimi të kërkuarit për vrasje. Burimet thanë se i kërkuari nuk kishte bërë rezistencë.

Dënimi

Qosja u shpall fajtor nga gjykata e rrethit Korçë për akuzën e vrasjes. Ai u dënua me 20 vjet heqje lirie. I arrestuari ishte shpallur në kërkim që në vitin 2000, kur ai u akuzua dhe u dënua si fajtor për vrasjen e një emigranti në Kapshticë. Policia njoftoi atëherë se ai kishte tentuar që ta grabiste atë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, por viktima ka kundërshtuar të japë paratë dhe sendet e tjera. I gjendur në një situatë të tillë, Qose, sipas gjykatës që e shpalli fajtor për vrasje, e ka qëlluar atë me armë duke i shkaktuar vdekjen. Policia njoftoi dje se Qose ishte dënuar në mungesë nga gjykata e Korçës me plot 20 vjet me heqje lirie. Por duke qenë se ishte larguar nga Bilishti, ai nuk ka vuajtur asnjë ditë nga dënimi. Vetëm ditën e djeshme u arrit të bëhej arrestimi i tij dhe përcjellja për në burg ku edhe do të vuajë dënimin për vrasje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›