E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mundësitë për përkrahje të kulturës

Programi Kulturor Zviceran dhe Qendra për Studime Humanistike – Gani Bobi, të premten organizojnë konferencën me titull “Mundësitë e Përkrahjes së Kulturës – Perspektiva e Kosovës”. Konferenca mbahet në hapësirat e Fakultetit të Arkitekturës, në Prishtinë.

Pas mbylljes së Zyrës së SCP në Prishtinë, e cila për disa vite ishte burim kryesor i financimit të projekteve të pavarura kulturore, në Kosovë do të ketë një gjendje vakuumi për grupet, individët dhe manifestimet që gjenin përkrahje nga SCP. Pikërisht kjo edhe është tema e konferencës njëditore me krijues dhe me financues aktualë dhe potencialë të projekteve të kulturës.

Gjatë dy paneleve do të shqyrtohen burimet shtesë vendore për financimin e kulturës dhe burimet shtesë për sponsorizimin kulturës, bazuar në përvojat botërore.

Panelistë do të jenë Aliriza Arenliu (drejtor i Dokufest), Arben Zharku (drejtor i Festivalit Skena UP dhe kryetar i Bordit të QKK’së), Jeton Neziraj (drejtor i Qendrës Multimedia), Kaltrina Krasniqi (regjisore), Shkëlzen Maliqi (drejtor i Qendrës për Studime Humanistike), Erzen Shkololli (drejtor i Galerisë së Arteve të Kosovës), Milena Dragicevic Šešic (Profesoreshë e Politikave dhe Menaxhmentit Kulturor), Petrit Selimi (zëvendësministër i Punëve të Jashtme), si dhe përfaqësues nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) dhe të Fondacionit Soros në Kosovë.

Moderatore do të jenë Eliza Hoxha (drejtoreshë e Organizatës Urbanjak) dhe Rozafa Basha (arkitekte dhe dizajnere urbane).

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›