E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mundet të përmirësojmë shëndetin?

Problemi i ruajtjes dhe përmirësimit të shëndetit të njerëzve, lidhet padyshim me organizimin adekuat dhe cilësinë e shërbimit mjekësor, si dhe, ç’është më e rëndësishmja, me sasinë dhe nivelin e investimeve që shoqëria dhe shteti kontribuojnë për këtë shërbim. Duke e parë në këtë sfond, duket se Shqipëria që hyn në radhën e vendeve më të ardhura të pakta [sipas OBSH-së (Organizata Botërore e Shëndetësisë) në këto vende shpenzohen për shëndetësinë më pak se 16 USD në vit për frymë, ndryshe nga vendet e zhvilluara ku shpenzohen mbi 2500 USD në vit për frymë], i bie që të ketë nivele të ulëta e jo të kënaqshme në parametrat që lidhen me shëndetin e njerëzve. Ky konkluzion, për vendin tonë, do të ishte edhe më bindës nëse u referohemi përsëri përgjithësimeve që bën OBSH-ja: 2,6 miliardë njerëz në botë nuk kanë fare akses (mundësi) për një shërbim shëndetësor. Për më tepër, në vendet e vobekta, 65% e popullsisë rrezikojnë shëndetin, për shkak të pamjaftueshmërisë së shërbimit shëndetësor.

Por, gjithsesi, gjërat nuk mund të jenë kaq të zymta sa ç’duken! E them këtë, sepse jo gjithmonëë paratë që konsumohen për shëndetësinë korelojnë me nivelin e shërbimit mjekësor. Ka dhe paradokse që, ndonjëherë, duken të çuditshëm. Shembulli më i mirë është Amerika (SHBA-ja). Pavarësisht se shpenzon për shëndetësinë më shumë se çdo vend tjetër në botë, megjithatë, SHBA-ja renditet prapa në krahasim me shumë vende të Europës, në shumicën e parametrave që reflektojnë gjendjen e shëndetit të popullsisë së vet. Pse ndodh kjo? Ka dy arsye të thjeshta: Së pari, se, të kesh shëndet të mirë, nuk do të thotë vetëm të shpenzosh shumë për shëndetin. Së dyti, ka shumë njerëz në SHBA që, kur kanë nevojë për trajtim mjekësor, ose nuk arrijnë ta marrin atë, ose e marrin me shumë vonesë, ose shërbehen në një nivel shumë të ulët.

Atëherë shtrohet pyetja: Ç’duhet bërë? Vetë amerikanët e zgjuar përgjigjen: Asgjë nuk mund të arrihet, nëse nuk do t’i kushtohet vëmendja e duhur njeriut të thjeshtë!!

Le të shohim vetëm dy parametra të rëndësishëm që tregojnë për gjendjen e shëndetit, duke krahasuar vendin tonë me disa vende të tjera fqinje. Jetëgjatësia mesatare në Shqipëri është 71 vjeç, ndërsa Kroacia e ka 76 vjeç, Qiproja 80 vjeç, Italia 81 vjeç, Maqedonia 73 vjeç, Bosnja e Hercegovina 75 vjeç. Vdekshmëria foshnjore në Shqipëri është 1,5 % (padyshim shumë më mirë se në kohën e diktaturës), por Bullgaria e ka 1,0 %, Kroacia 0,5 %, Qiproja 0,3 %, Greqia 0,4 %, Italia 0,3 %.

E vërteta është që, në Shqipëri ka një personel mjekësor jo të pakët: Mjekë mbi 4.000, farmacistë mbi 1.200, infermierë mbi 15.000 dhe dentistë mbi 1000. Pa dashur që shifrat të bëhen qëllim në vetvete, do të shtroja disa mundësi që, në kohën e sotme ndikojnë në përmirësimin e shëndetit të njeriut.

Shëndeti i njeriut varet nga faktorë që mund t’i kategorizojmë në 5 grupe: 1. – faktorë gjenetikë, 2.-konditat sociale, 3.- ekspozimi mjedisor, 4.- zakonet dhe mënyra e jetesës, 5.-kujdesi shëndetësor (trajtimi mjekësor). Nga të gjitha këto, më pak nga të gjithandikon, në jetëgjatësi, kujdesi shëndetësor. Edhe sikur njerëzit të kishin një kujdes mjekësor të shkëlqyer (gjë që nuk ndodh), realisht vetëm një pjesë e vogël e vdekjeve do të mund të parandalohej. Por, faktori kryesor dhe mundësia më e madhe për të pakësuar vdekjet e parakohshme, është ndryshimi i mënyrës së jetesës së çdo individi. Në fakt, 40 % e gjithë vdekjeve ndodhin nga zakone e mënyra jetese jo adekuate. Po të shohim ç’ndodh në Europë, vdekjet e parakohshme aty, në një masë të madhe, ndodhin nga obeziteti (shëndoshja), inaktiviteti fizik (jeta sedentare), dhe nga pirja e duhanit. Aherë, mjekët dhe gjithë politikëbërësit e shëndetësisë, mund të pyesin: a mund ta ndryshojmë mënyrën e jetesës kur kjo qenka kaq e rëndësishme? Mendimi i përparuar mjekësor gjykon se, nëse në fillim të shekullit të XX, u arrit një përmirësim radikal i shëndetit në sajë të vaksinimeve kundër sëmundjeve infektive dhe nga përdorimi i antibiotikeve, sot, një sukses i ngjashëm mund të arrihet vetëm nëse ndryshojmë mënyrën e të jetuarit (stilin e jetës). Kjo gjë ka, madje, më shumë rëndësi se sa novacionet dhe përparimet e shkencës dhe të teknologjisë.

Eksperienca ka treguar se, realisht, mundet ta ndryshojmë mënyrën e të jetuarit. Le të përmendim disa fakte të thjeshta: Sa jetë njerëzish janë shpëtuar nga përdorimi i rripit të mesit në makina, apo sa sëmundje fatale të zemrës e të trurit janë shmangur nga pakësimi i yndyrnave në ushqime? Shumë, pa dyshim. Po ashtu, edhe suksesidhe normat e reja të luftës kundër duhanit, tregojnë se zakonet dhe mënyra e të jetuarit, me pak vullnet, mund të përmirësojë shumë shpejt jetën e njeriut. Në Amerikë, brenda 50 vjetëve të fundit u përgjysmua numri i njerëzve që pinin duhan. Si ndodhi kjo? Qysh në fillim të viteve ’60, u konstatua dhe u konkludua shkencërisht se duhani dhe kanceri i mushkërive kishin shumë lidhje me njëri-tjetrin, madje, dhe marrja pasive e tymit të duhanit nëmjediset ku pihet duhan, përbën një rrezik shumë të madh. Kësisoj, leksionet dhe propaganda kundër duhanit dhe sidomos të shkruarit në paketat e duhanit; “rrezik për shëndetin”, pati një efekt shumë pozitiv. Çfarë mund të bëhet tek ne, përveç ligjit që e ndalon duhanin në vendet publike? A duhen krijuar mjedise të veçanta nëpër lokalet për pirjen e duhanit, apo taksa më të larta për importuesit e duhanit? Them se këto dhe të tjera masa, do të ndikonin shumë pozitivisht. Nëse bëjmë një ekstrapolim të të dhënave të OBSH-së, rezulton se në Shqipëri ka afro 500.000 vetë që pinë duhan. Nëse ky fakt është më se i vërtetë, atëherë duhet të dimë diçka tjetër se, çdo vit, në vendin tonë vdesin 5.000 njerëz, si pasojë e pirjes së duhanit. Ata që pinë duhan vdesin, mesatarisht, 15 vjet më shpejt se të tjerët dhe, për më tepër, duhanxhinjtë i kalojnë vitet e fundit të jetës së tyre me vuajtje, dhimbje e marrje fryme.

Nga ana tjetër, duhet ditur se duhanin e përdorin më shumë shtresat e ulëta socio-ekonomike dhe ata me probleme mendore, si dhe përdoruesit e drogës. Afro gjysma e atyre që pinë duhan kanë probleme të shëndetit mendor. Lënia e duhanit në këto kategori njerëzish, përbën padyshim një detyrë jo të lehtë. Ndër intelektualët me arsim të lartë, rezulton se vetëm 10 % e tyre e pinë duhanin. Në përgjithësi, mund të thuhet se lufta masive kundër duhanit, duhet bërë në dy drejtime kryesore: Të ndihmohet rinia që të mos e fillojë duhanin dhe të ndihmohen duhanpirësit ta lënë atë. Mjafton të kujtojmë se po të pyesësh duhanpirësit, 70 % e tyre thonë se do t’u pëlqente ta lënë atë. Dhe, nëse do të arrinim që, të paktën 10 % e duhanpirësve ta linin duhanin, atëherë do të shpëtonin në Shqipëri 10.000 njerëz nga vdekja e parakohshme. Këto shifra tregojnë se këtë lloj impakti, asnjë lloj terapie tjetër nuk do të mund ta arrinte. Dhe, në shoqërinë tonë, ka mundësi të realizohen këto.

Edhe obeziteti (shëndoshja) sikurse duhani, ka karakteristika të ngjashme. Të dyja janë shumë të shpeshta sot. Të dyja fillojnë që në moshën e rinisë së hershme dhe të dyja këto janë faktorë madhorë risku për sëmundje kronike. Përveç asaj, ato mbartin një stigmë dhe janë të vështira për t’u trajtuar. Mjekët, përgjithësisht, nuk kanë shumë dëshirë të merren me këto probleme. Megjithatë, obeziteti ka disa tipare të veçanta: Obeziteti lidhet me të ngrënit dhe njerëzve nuk mund t’u ndalojmë të ngrënit, sikurse mund të ndalohet duhani. Kundër pirjes së duhanit mobilizohen edhe ata që nuk e përdorin, sepse kanë frike nga marrja pasive e tymit, por kjo nuk ndodh me obezitetin, se obezi nuk përbën rrezik për të tjerët. Por si mund të luftohet obeziteti? Së pari, ka rëndësi kufizimi i disa lloje ushqimesh, si p.sh. fast-foodi etj. Vetë shteti mund të kërkojë me rigorozitet që, në ushqimet e ambalazhuara të vihen etiketa, ku të përshkruhet përmbajtja e tyre dhe sasia e kalorive. Në ambientet e shkollave të mos lejohet shitja e lëngjeve të sheqerosura (Koka, Fanta, etj.). Së fundi, i rëndësishëm është edhe krijimi i ambienteve për aktivitet fizik nëpër shkolla dhe vendet e punës. Në një konferencë të fundit të pediatrisë shqiptare, u theksua me forcë rreziku iminent i obezitetit te fëmijët dhe, në këtë kuadër, këto masa janë padyshim një profilaksi e mirë dhe e dobishme.

Natyrisht që shëndeti varet shumë edhe nga faktorët socialë, nga kujdesi mjekësor dhe nga faktorët mjedisorë. Dihet që njerëzit me nivel të ulët socio-ekonomik, vdesin më shpejt. Këto kanë lidhje pa dyshim me të ardhurat që ka individi, me shëndetin që gëzon ai, me llojin e punës që kryen dhe me mjedisin ku jeton. Stresi psiko-social është një tjetër faktor risku për shëndetin. Lufta për shëndetin bëhet edhe duke u përpjekur të ngushtohen diferencat ndërmjet shtresave të ndryshme. Politikat sociale që kanë të bëjnë me aspektet bazë të jetës dhe të mirëqenies së njerëzve (p.sh., arsimimi, taksat, transporti dhestrehimi) kanë ndikim shumë të rëndësishëm mbi shëndetin. Kur politikat publike e rrisin hendekun ndërmjet të pasurve dhe të vobektëve, ato sigurisht kanë ndikim negativ në shëndetin e popullit. Ndoshta egalitarizmi i tepruar s’është i drejtë, por mos t’i shohim gjërat vetëm me syrin e tregtarit që kërkon të fitojë. Po të lejosh diferenca të mëdha në të ardhurat, në mirëqenie, në arsimimin e njerëzve dhe në strehim, padyshim do të ketë pasoja të padëshiruara.

Një tjetër faktor është kujdesi mjekësor (mjekimi i sëmundjeve). Këtu ka shumë probleme, por thelbësore është të përmirësohet gjendja, duke zgjeruar numrin e njerëzve që mbulohen nga sigurimet shëndetësore. Kjo gjë ndikon pozitivisht në rritjen e cilësisë së shërbimitmjekësor dhe zgjerimin e tij. Kjo do të bëjë që edhe në shërbimin spitalor (që së shpejti do të mbulohet nga sigurimet shëndetësore), t’u shërbehet pacientëve pa qenë nevoja për pagesa suplementare të kushtueshme.

Së fundi, vlen të përmenden faktorët mjedisorë. Ajri i ndotur dhe uji i kontaminuar, plehrat e kimikatet e shpërndara pa kujdes, mungesa e vendeve të përshtatshme për aktivitete fizike, të gjitha këto e përshpejtojnë vdekjen e parakohshme. Në këto, roli i politikës është i pamohueshëm.

Duke përfunduar, do të dëshiroja të theksoja që shëndeti dhe jetëgjatësia e popullit nuk varet vetëm nga përmirësimi i kujdesit dhe i trajtimit mjekësor (p.sh., vaksinat apo ilaçet për zemrën, për hipertensionin, për diabetin, etj.) Madje, neglizhencat e kujdesi i pamjaftueshëm mjekësor, janë shkak i një jetëgjatësie më të pakët vetëm në 10 % të rasteve, por shkaku më madhor që shkurton jetën, ka të bëjë me mënyrën e jetesës. Zakone e mënyra jetese adekuate si, ngrënia e përshtatshme, evitimi i abuzimeve dhe veseve, aktiviteti fizik, etj., bëjnë që rezultatet të mos vonojnë, të parandalohet obeziteti, të evitohet AIDS-i, të kontrollohet pirja e duhanit, të pakësohen vdekjet nga aksidentet dhe suicidet. Të gjitha këto janë gjithmonë e më shumë problematike edhe për shoqërinë tonë. Përmirësimi i gjithë këtyre faktorëve kërkon aksion politik, që fillon nga matja dhe vlerësimi i parametrave të shëndetit, e deri në masa për zbutjen dhe eliminimin e faktorëve shkaktarë.

Përmirësimi i shëndetit, nga ana tjetër, nuk është thjesht një matje statistikore. Nëse ky përmirësim realizohet me objektiva të qartë, rezultatet do t’i gëzojë gjithë vendi: do të rritet fuqia punëtore, do të zhvillohet më shumë ekonomia e, ç’është më e rëndësishme, njerëzit do të bëjnë një jetë më të mirë.

Një aksion politik i fuqishëm e lartëson punën e profesionistëve të mjekësisë, në mënyrë që ata të bëhen kampione të ruajtjes së shëndetit të popullit. Përpjekjet e gjithë shoqërisë duhet të jenë në rezonancë të plotë me vlerat profesionale të mjekëve dhe është pikërisht kjo arsyeja që shumë të rinj zgjedhin mjekësinë si profesion të jetës së tyre. Të jesh mjek nuk është thjesht një pasion për të shëruar sëmundjet, por të duash të jesh mjek, është një shprehje e patriotizmit të njeriut. Dhe vendi ynë ka shumë nevojë për ta e për vlerat e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›