E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të sëmurët me veshka, trajtohen rreth 500 raste çdo vit

Numri i të sëmurëve me veshka sa vjen dhe po rritet. Rreth 10 për qind e popullsisë, në moshat e rritura, vuajnë nga sëmundjet e veshkave, ndërkohë që plot 450 raste të reja identifikohen me këtë sëmundje çdo vit. Pacientët që vuajnë nga insuficienca renale, veç problemeve me veshkat kanë edhe shqetësime të tjera të lidhur ngushtë me këtë sëmundje. Shoqata shqiptare e Nefrologjisë, organizoi dje veprimtarinë shkencore me temë "Trajtimi i ri për aneminë në sëmundjet kronike të veshkave".

Në dhjetë shqiptarë, njëri prej tyre vuan nga problemet me veshkat. Dhe ata që vuajnë në 80 për qind të rasteve paraqiten në spital vetëm kur gjendja e tyre shëndetësore bëhet e papërballueshme. Shkaktarët e kësaj sëmundjeje nuk janë vetëm kequshqyerja dhe mosekzaminimi në mënyrë të shpeshtë, por edhe mungesa e ulët e aktivitetit fizik.

Në Shqipëri mungon diagnostikimi i hershëm i të sëmurëve me veshka, sidomos të rinjtë dhe gratë shtatzëna duhet të bëjnë herë pas here një analize për albuminën. Sipas nefrologëve, kryesisht nga sëmundjet e veshkave vuajnë qytetarët që jetojnë në zona të varfra, sepse vetë kjo sëmundje ka shpeshherë në bazën e vet edhe gjendjen e kequshqyerjes dhe mungesën higjienike. Një tjetër faktor që ndikon në dëmtimin e veshkës është edhe cilësia e ujit të pijshëm. "Në vendin tonë, me një popullsi prej më shumë se 3 milionë banorë, incidenca është 450 raste/vit pranë klinikës ku trajtohen pacientët me sëmundje kronike të veshkave", sqarohet zyrtarisht në njoftimin e Shoqatës së Nefrologëve. "Prania e vazhdueshme e anemisë në mjaft pacientë me humbje të plotë të funksionit të veshkave, përbën temën e këtij diskutimi shkencor dhe praktik me mjekët shqiptarë dhe të huaj", tha shefi i nefrologjisë, Nestor Tereska. Sipas tij, studime të ndryshme paraqesin faktin që anemia është e pranishme në pjesën dërrmuese të pacientëve që trajtohen me dializë në spitalin universitar "Nënë Tereza". Një trajtim specifik dhe i specializuar përdoret tashmë në Qendrën e Nefrologjisë për rreth 50 pacientë çdo vit, ndërsa numri i të sëmurëve kronikë me veshka dhe sëmundje të tjera që rrjedhin prej tyre është shumë më i madh. Në të gjithë botën numërohen mbi 1.5 milionë njerëz, të cilët mbahen në jetë me anë të dializës apo transplantit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë synon që nëpërmjet fushatave të ulë numrin e vdekjeve të shkaktuara nga sëmundjet kronike, të paktën 2 për qind në vit, për dhjetë vitet e ardhshme. OBSH-ja synon të sensibilizojë njerëzit për rreziqet e këtyre sëmundjeve dhe veprimtari të tilla u shërbejnë jo vetëm pacientëve dhe qytetarëve në përgjithësi, por edhe personelit mjekësor, për t‘u bërë të vetëdijshëm për rolin e veshkave dhe të sëmundjeve të lidhura me to, si diabeti dhe hipertensioni arterial. Sakaq, qendrat e dializës në vendin tonë janë të vendosura në katër qytete: Tiranë, Shkodër, Elbasan dhe Gjirokastër. Sëmundja kronike e veshkave dhe rreziku i vdekshmërisë janë të lartë edhe në vendin tonë. Më shumë se 500 milionë njerëz në të gjithë botën, ose 10% e popullatës së rritur, vuajnë nga ndonjë formë dëmtimi e veshkave. Ndërsa, 90% e atyre që vuajnë nga veshkat mbeten të paidentifikuar.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›