E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, ajri tri herë më i ndotur nga normalja

Qyteti i Korçës rezulton të ketë një nivel të lartë të ndotjes së ajrit. Sipas specialistëve, gjatë viteve të fundit, cilësia e ajrit dhe niveli i ndotjes ka qenë në rritje. Sipas një studimi të Drejtorisë së Shëndetit Publik, janë konstatuar ngarkesa të larta nga grimcat e imta të pluhurit dhe, nga ana tjetër, një shtim të elementëve të dëmshëm për shëndetin si: dioksidi i azotit dhe benzenit, gjë që mendohet të ketë ardhur për shkak të numrit në rritje të automjeteve në qarkullim dhe çlirimit të gazrave. Qyteti i Korçës është futur kështu në hartën e qyteteve me nivel të lartë të ndotjes së ajrit. Nga një krahasim që është kryer me raportet dhe analizat e kryera në tre vitet e fundit, është vënë re se ka një rritje tri herë më të madhe të ngarkesës së ajrit nga grimcat e imta të pluhurit. Sipas specialistëve, kjo ngarkesë ka efekte mjaft të dëmshme në shëndetin e banorëve dhe ka rritur nivelin e sëmundshmërisë, sidomos ato të aparatit respirator. "Cilësia e ajrit në qytet ka ndryshuar në mënyrë të ndjeshme. Së fundmi vihet re se ka një rritje të nivelit të dioksidit të azotit dhe benzenit, për shkak të rritjes së numrit të automjeteve", shprehet specialisti Jani Bukuroshi. Por, sipas specialistëve të higjienës, veç numrit të lartë të automjeteve, rritja e ndotjes së ajrit ka ardhur si rrjedhojë e ndërtimeve në rrugë. "Ka një rritje të nivelit të ndotjes me tri herë më shumë se normalja. Grimcat e imta të pluhurit janë të rrezikshme për shëndetin, pasi depërtojnë në mushkëri dhe qëndrojnë aty duke bllokuar funksionimin e rregullt të mushkërisë dhe frymëmarrjen. Për shkak të ndotjes së ajrit dhe frekuentimit të mjediseve jo të pastra dhe të pasura me oksigjen, por edhe për faktin se nga rrugët në ndërtim ka shtim të grimcave të pluhurit, ka ndikuar negativisht dhe ka një rritje edhe të sëmundshmërisë kryesisht te moshat e treta", shprehet më tej Bukuroshi. Ndërkohë, burime pranë sanatoriumit të qytetit, ku trajtohen problemet e mushkërisë dhe të aparatit respirator, thonë se numri i të sëmurëve shtohet nga viti në vit dhe kontingjenti më i rrezikuar për të shfaqur probleme janë moshat e treta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›