E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, lirohen nga detyra 35 mësues

02/09/2009  Shkak ulja e numrit të nxënësve. Mblidhen nxënësit në shkolla disa kilometra larg banesave

GJIROKASTËR - Lëvizja demografike e popullsisë, si dhe frekuentimi i shkollës gjithnjë e më i paktë në zonat rurale nga ana e fëmijëve, ka diktuar Drejtorinë rajonale të Arsimit të Gjirokastrës që afro 35 mësues të mos japin mësim gjatë vitit të ri akademikë. Shefi i zyrës së burimeve njerëzore në Drejtorinë Arsimore rajonale të Gjirokastrës, Sofokli Kallulli, pohoi se sivjet në bankat e shkollave në rrethin e Gjirokastrës, priten të ulen rreth 300 nxënës më pak krahasuar me vitin arsimor 2008-2009 që shkoi dhe kjo lëvizje është krejtësisht e justifikuar që të ndërmerret.

Largimet

“Lëvizjet demografike të popullsisë në rrethin e Gjirokastrës, si dhe ulja e numrit të nxënësve në zonat kryesisht të thella malore, ka bërë që në prag të fillimit të vitit të ri shkollor 2009-2010, të shikohet mundësia e mbylljes së disa shkollave fillore dhe 9-vjeçare, kryesisht ne zonat rurale”, është shprehur Kallulli. Sipas tij, shifra aktuale e nxënësve në disa shkolla fillore dhe 9-vjeçare, nuk plotëson kriteret për mbajtjen hapur të tyre, çka pritet të sjellë përqendrimin e tyre tek shkollat në qendër të komunave. Një veprim i tillë do të bëjë që rreth 35 mësues, të cilët kanë punuar për vite të tëra në shkollat e këtyre fshatrave, të ngelen tashmë pa punë. Një përqendrim të tillë do të pësojnë shkollat e mesme dhe 9-vjeçare në disa fshatra të komunës Cepo, nxënësit e të cilave këtë vit shkollor, do ta nisin në klasat e godinës së Shkollës së Mesme të Bashkuar “Bilal Xhaferraj” në Urën e Kardhiqit, rreth 7 kilometra larg qytetit të Gjirokastrës. Po kështu shkollat e ciklit 9-vjeçar në komunën e Odries, do të grupohen në godinën e sapo inauguruar në qendër të komunës Lunxhëri. Vështirësitë janë tejet të dukshme pasi largësia e shkollave nga komuna Odrie e deri në Lunxhëri është mbi 15 km. Megjithatë, drejtuesit e arsimit gjirokastrit kanë marrë masat që transporti i nxënësve të jetë i siguruar me automjete të paguara nga buxheti i shtetit. Mungesa e nxënësve shpjegohet edhe me rritjen e shkallës së emigracionit në zonën jugore gjatë vitit të fundit, ku në shumë raste familjarët preferojnë që fëmijët e tyre të shkollohen në Greqi se sa në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›