Flak fëmijën e tij nga ura, shpallet në kërkim nga policia
SHKODËR - Hakmarrja e verbër pas divorcit i ka errësuar sytë një prindi, i cili ka flakur fëmijën e tij 2-vjeçar nga lartësia dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e djeshme në qytetin e Shkodrës. Babai ka hedhur nga një urë e lartë në shinat e trenit foshnjën e tij dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes, duke u shpallur person në kërkim. Shtetasi Eduard Xhoka e ka bërë këtë gjest kriminal në sy të dhjetëra personave të pranishëm. Policia thotë se foshnja, fatmirësisht, ka shpëtuar gjallë. Burime spitalore pohojnë se 2-vjeçari ka pësuar disa fraktura. Dëmtimet më të shumta i ka marrë në këmbën e djathtë. Ai po merr ndihmën mjekësore. Burimet policore sqarojnë se kanë shpallur në kërkim Xhokën. Pak kohë më parë, autori i këtij akti barbar është divorcuar nga bashkëshortja dhe dyshohet se hakmarrja ndaj saj e ka shtyrë për të tentuar që të vrasë fëmijën e tij.
Gjithsesi, ekspertët e sektorit të Krimit Kundër Personit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Shkodrës po hetojnë me hollësi këtë ngjarje.
5 Dhjetor 2009