Haxhinasto: Apeli i ndërkombëtarëve është që Shqipëria të respektojë ligjin
TIRANË- Apeli i ndërkombëtarëve në forumin “BE – Ballkani Perëndimor”, që u zhvillua në Luksemburg, ishte që Shqipëria duhet të respektojë ligjin. Kështu ka deklaruar dje Zv.kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, në një konferencë për shtyp, lidhur me mesazhet që u përcollën në këtë forum për Shqipërinë. ”Absolutisht, edhe nga kontributet e të gjithë të pranishmëve në këtë forum erdhi i njëjti mesazh, duke filluar që nga zonja Ashton, nga komisioneri Fyle dhe nga gjithë përfaqësuesit e tjerë të vendeve anëtare. Ishte pikërisht ky mesazh, që Shqipëria duhet të respektojë ligjin, duhet të respektojë institucionet e saj për të mbyllur me sukses procesin zgjedhor dhe më pas, të angazhohet në një reformë zgjedhore e cila të arrijë të përmirësojë të gjithë ato standarde që janë vënë re ose që janë treguar nga rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR-it, por dhe nga vetë praktika se si u zhvilluan këto zgjedhje të fundit”, - tha Haxhinasto. Ai shtoi gjithashtu se edhe kërkesa tjetër e të huajve, për shërbimet e Komisionit të Venecias, lidhet me legjislacionin, që do të amendohet për zgjedhjet e vitit 2013. “Kjo besoj ka qenë e qartë dhe në letrën e dytë që Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës ka dërguar, e ka sqaruar Ambasadoren tonë, përfaqësuesen tonë në misionin tonë në Këshillin e Europës. Por kjo ishte shumë e qartë edhe sot në përmbledhjen që bëri komisioneri Fyle, por shihet qartë edhe në konkluzionet e këtij takimi të rëndësishëm”,- tha ai.