FMN kundër uljes së kontributeve, shkak rrezikimi i skemës së pensioneve
Kërkesat
Përveç rishikimit të kontributit për sigurimet Fondi Monetar Ndërkombëtar kërkon nga qeveria që të ndërmarrë një strategji urgjente për të luftuar ekonominë informale, e cila mund të jetë një ndihmë për skemën e pensioneve. Në dokumentet zyrtare të publikuara pas vizitës së misionit në Tiranë, FMN përdor një ton më të fortë në rekomandimet që i bën qeverisë shqiptare duke shkuar deri aty sa të kërkojë rritje të taksave. Disa reforma për uljen e taksave që janë ndërmarrë në të kaluarën duhet të rishikohen, thotë raporti zyrtar që misioni i FMN-së ka hartuar pas përfundimit të vizitës në Tiranë. Ekspertët e fondit ngrenë shqetësimin se strategjia e qeverisë për të reduktuar borxhin publik, gjatë tre viteve të ardhshme më së shumti bazohet në parashikimet optimiste të qeverisë për mbledhjen e të ardhurave, të cilat nuk janë në linjë me parashikimet e FMN-së, çka mund të rezultojë me përkeqësim të mëtejshëm të borxhit. Në fund FMN i kërkon qeverisë që për katër vitet e ardhshme të ndërmarrë një politikë të shtrënguar buxhetore dhe realiste. Në takimin me ministrin e Financave, përfaqësuesi i FMN deklaroi se pritshmëritë për inflacionin mbeten të mira. Më tej, Bell vlerësoi se në tre mujorin e parë të 2010, GDP ka qenë më mirë se çfarë kishte parashikuar FMN sidoqoftë institucioni monitorues i Washingtonit paralajmëron të mos nënvlerësohen rreziqet e jashtme. Në situatën aktuale ajo politikë, e cila ndihmon për të zbutur goditjet është zvogëluar shumë, ndërkohë që situata në botë nuk është në formën e vet më të shkëlqyer. Ka rritje të rreziqeve të qarta nga jashtë dhe nuk duhen nënvlerësuar, thotë FMN.
Pensionet
Në skemën e sigurimeve shoqërore kontribuojnë 1, 4 persona për të përfituar një pensionist. Raporti është shqetësues për Institutin e Sigurimeve Shoqërore. Duke pasur parasysh që ky raport është përllogaritur vetëm për skemën e pensioneve të pleqërisë bëhet i vështirë garantimi i skemës, por ekspertët e ISSH pohojnë se në çdo rast kontribuuesit e sotëm janë të garantuar se do të marrin pension në kohën që do të mbushin moshën e do të të plotësojnë vitet e sigurimit. Skema e sigurimeve ka kaluar në disa ndërhyrje me qëllim përmirësimin e saj, por këto ndërhyrje nuk kanë dhënë rezultate e pritshme. Kështu ulja me 5 për qind e masës së kontributeve për punëdhënësit ka sjellë efekt negativ në skemë, pasi nuk u arrit shtimi i deklarimeve në masën e pritshme. Kontributet u ulën në masën 7 miliardë lekë, nga të cilat 1. 5 miliardë u mbuluan nga shtimi i numri të kontribuuesve dhe efektet negative u përllogarit në vlerën 5. 5 miliardë lekëve.
Ornela Manjani