Mungesa e ndjenjës së nuhatjes, shenjë paralajmëruese e sëmundjeve neurologjike
Sipas një studimi, humbja e ndjenjës së të nuhaturit mund të jetë një nga shenjat e hershme paralajmëruese për sëmundje të rënda neurologjike. Dihet se aroma apo era përbëhet nga grimca molekulash shumë të vogla që thithen nëpërmjet hundës dhe shkojnë në qelizat përkatëse të trurit. Shpesh një aromë na kujton një kohë apo vend të caktuar. Pra del se ndjenja e aromës ka lidhje me kujtesën dhe kur kjo ndjenjë humbet, duket se në qelizat e trurit ka ndodhur diçka. Studimi i ri lë të kuptohet se humbja e aftësisë për nuhatje mund të jetë shenjë e shtimit të rrezikut për prekjen nga sëmundja e Parkinsonit, sëmundje e rëndë neurologjike. Shkencëtarët në shtetin Havai morën në shqyrtim më shumë se 2 mijë persona, të cilëve iu tha të provonin erëra apo aroma të ndryshme. Gjatë provave, pjesëmarrësve iu dha të nuhasnin aroma duke filluar nga limoni, gazi natyror, sapuni e iu kërkua atyre të identifikonin erën përkatëse, pra nga cili objekt vinte. Rezultatet treguan se personat që nuk ishin në gjendje të përcaktonin aromat përkatëse kishin pesë herë më shumë gjasa të prekeshin më vonë nga sëmundja e parkinsonit, në krahasim me pjesëmarrësit e tjerë që u treguan më mirë përsa përket identifikimit të aromës. Sipas studimit, ndjesia e nuhatjes shpesh duket se zhduket 4 vjet përpara shfaqjes së shenjave të zakonshme të parkinsonit, siç janë dridhjet e gjymtyrëve dhe vështirësi në ecje. Studime të mëparshme kanë treguar se një pakësim i ndjenjës së nuhatjes ndonjëherë paralajmëron edhe alcajmerin, gjithashtu sëmundje neurologjike. Kjo i bën shkencëtarët të mendojnë se dobësimi i kësaj ndjesie mund të jetë shenjë paralajmëruese e vdekjes së qelizave të trurit që janë përgjegjëse për nuhatjen. Ekspertët këshillojnë që njerëzit të cilët provojnë një humbje të papritur e të pashpjegueshme të nuhatjes duhet ta diskutojnë këtë gjendje menjëherë me mjekun e tyre.
27 Mars 2008