Edhe 40 milionë Qeverisë
Posta dhe Telekomi i Kosovës i ka dhënë 40 milionë euro Qeverisë së Kosovës. Këto mjete shkojnë në buxhetin e Kosovës në formë të dividentës. Sipas menaxhmentit të PTK-së, Shyqyri Haxha, këto mjete janë pjesë e fitimit të vitit 2010, të cilin PTK-ja është e obliguar t’ia japë Qeverise si aksionar i vetëm i kësaj kompanie. Nga viti 2009 deri më tani, në buxhetin e Kosovës kanë hyrë nga PTK-ja 280 milionë euro. Zyrtarët e PTK-së kanë njoftuar se i kanë harmonizuar tarifat e romingut me operatorin Plus në Shqipëri. Çdo thirrje që bëhet nga ky operator në Vala do të kushtoi 0.50 euro nga 1.95 euro sa ka qenë deri më tani. Shërbimet e tjera që ofrohen nga këta dy operatorë për konsumatorët, sipas zyrtarëve të PTK-së, janë rreth 70 për qind më të lira.
Vetëm pak muaj pas fillimit të operimit zyrtar të operatorit shqiptar mobil “Plus”, çmimet e roamingut për konsumatorët kosovarë kanë shënuar rënie të konsiderueshme.
Jo më pak se 75 për qind, janë ulur tarifat e thirrjeve roaming për konsumatorët e Vala-s të cilët lidhen në rrjetin Plus, përderisa janë në Shqipëri.
Kryeshefi Ekzekutiv i PTK Sh.a., Dr. Shyqyri Haxha, në një konferencë për gazetarë, njoftoi për uljen e çmimeve për thirrjet roaming nga operatori “Plus”, luftimin e dukurisë SIM to SIM, nga e cila PTK, vite me radhë ka humbur miliona euro, si dhe dhënien e devidendës prej 40 milionë eurove Buxhetit të Kosovës.
“Konsumatorët tanë gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, do të mund të mbajnë SIM kartelën e tyre të Vala-s dhe të vazhdojnë të përfitojnë nga një ulje e madhe e tarifave për shërbimin roaming deri në 75 për qind, nga 1.95 euro në vetëm 0,50 euro për thirrjet drejt Vala-s dhe TiK-ut, nga 65 për qind për thirrjet drejt operatorëve të tjerë dhe për pranimin e thirrjeve, si dhe 50 për qind më lirë për dërgimin e SMS-ve”, ka deklaruar Haxha.
Në anën tjetër, mbi 2.5 milionë euro janë kursyer përmes detektimit dhe pengimit të fenomenit SIM to SIM, i cili deri më tani ka shkaktuar humbje të mëdha, mbi 400 mijë euro në muaj, si PTK-së ashtu edhe vetë buxhetit të Kosovës. Për kontributin e madh në luftimin e kësaj dukurie, Monaco Telecom i ka dërguar një letër falënderuese, Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së, Dr. Haxha.
“Efikasiteti i madh në punë, disiplina dhe përgjegjësia kanë rezultuar me sukses, gjë që shpjegohet vetë nga të dhënat mbi kursimin e një shume të konsiderueshme nga fenomeni i SIM to SIM. Gjithashtu falënderojmë Policinë e Kosovës, hetuesit dhe institucionet kosovare që kontribuuan në luftimin e këtij fenomeni”, është shprehur Haxha.