E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungesa e parave, qeveria shpreson tek “thërrimet” e privatizimeve të strategjikëve

Ervin KOÇI

E ndodhur në vështirësi serioze për likuiditete, qeveria shqiptare po shikon të gjitha mënyrat se si të sigurojë paratë e nevojshme për investime, paga e pensione. Viti 2010 duket se ka nisur mjaftë i vështirë për qeverinë, e cila ka planifikuar shkurtime të mëdha në fondet e saj për shpenzime dhe investime. Shpresat për sigurimin e parave tashmë janë varur në disa “degë të holla” ndër të cilat edhe aksionet e mbetura në ndërmarrjet strategjike të cilat janë privatizuar në pjesën më të madhe. E ndodhur përballë efekteve të krizës ekonomike të cilat kanë prekur një serë sektorësh duke ulur ndjeshëm nivelin e të ardhurave, arkës së shtetit do t'i vijnë në ndihmë fondet që pritet të përfitohen nga privatizimet e aksioneve të mbetura shtetërore ne ndërmarrjet strategjike. Të paktën kështu pretendohet nga Ministria e Financave e cila thotë se, përgjatë viteve 2010-2012, buxhetit të shtetit do t'i shtohen edhe disa milionë euro të tjera të cilat kryesisht parashikohet të përdoren në uljen e deficitit buxhetor, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe ruajtjen e një norme të lartë investimesh. Strategjitë e mësipërme janë parashikuar në "Programin ekonomik e fiskal 2010-2012" miratuar në mbledhjen disa ditëve më parë, të Këshillit të Ministrave.

Privatizimet
Deri në mars të këtij viti, qeveria parashikon nisjen e procedurave për shitjen e paketës së aksioneve që janë ende shtetërore tek kompania “Albtelekom”. Po ashtu, deri në këtë muaj pritet të jetë zhvilluar edhe tenderi për zgjedhjen e kompanisë konsulente e cila do të bëjë vlerësimin e aksioneve. Shteti shqiptar posedon ende edhe 12 për qind të aksioneve të “Albtelekomit” pas shitjes së pjesës më të madhe të tyre tek kompania "Çalik Holding". Krahas aksioneve tek “Albtelekom”, qeveria parashikon të shesë deri në fund të vitit 2012 të gjithë pjesën shtetërore tek kompanitë e tjera strategjike si Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, Korporatën Elektroenegjetike, “Albpetrol’ dhe “ARMO”-n. Për sa i përket OSSH-së, aksionet e saj priten të ndahen në disa pjesë. Pas blerjes nga çekët e CEZ të paketës së aksioneve prej 76 për qind, për pjesën e mbetur qeveria parashikon që të fillojë procedurat e llogaritjes së paketave që u takojnë punonjësve dhe pronarëve. Po ashtu, brenda këtij viti, është parashikuar të fillojnë edhe procedurat për privatizimin e pjesës së mbetur të aksioneve të kësaj kompanie. Ajo që bie më shumë në sy, ka të bëjë me fillimin e procedurave të privatizimit edhe të KESH-it. Sipas strategjisë së miratuar nga qeveria, sektori i prodhimit të energjisë parashikohet të shitet deri në fund të vitit 2012 duke shënuar kështu edhe fundin e privatizimeve strategjike në vend.

Afatet
Nuk ka ende një datë se kur pritet të fillojnë procedurat për vlerësimin e aksioneve dhe hapjen e tenderit, por shitja e KESH-it do të ishte një nga privatizimet më të mëdha në vend. Për shitjen e aksioneve te mbetura shtetërore në kompaninë “ARMO sh.a.” do të ndiqet e njëjta procedurë si me OSSH-në. Në fillim do të bëhet llogaritja e paketave që u takojnë pronarëve dhe punonjësve ndërsa pjesa tjetër e mbetur do t'i shitet një investitori të interesuar. Shteti shqiptar posedon ende 15 për qind të aksioneve në kompaninë “ARMO”, të cilat deri në fund të vitit 2012 pritet të ndërrojnë pronar. Për sa i përket “Albpetrolit”, nuk ka ende një datë kur parashikohet fillimi i procedurave të privatizimit. Gjithsesi, sipas asaj ç'ka është përcaktuar në strategji, shteti shqiptar siguron investitorët për ruajtjen edhe pas privatizimit të kontratave që ka aktualisht “Albpetroli” me kompanitë e tjera.

Rritja ekonomike, këtë vit parashikohet më e ulët se 2009-a

Qeveria pranon zyrtarisht prekjen e ekonomisë së vendit nga kriza ndërkombëtare duke miratuar një rritje me vetëm 3 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2009. Referuar të dhënave të pasqyruara në "Programin Ekonomik e Fiskal 2010-2012" miratuar disa ditë më parë, bëhet fjalë për një rritje ekonomike të vendit për vitin 2009 nga 3 deri në 3.5 për qind. Ky tregues është sa gjysma e shifrës prej 6 për qind të deklaruar nga qeveria, gjatë miratimit të buxhetit të vitit të shkuar. Pavarësisht se të dhënat aktuale nuk përligjin parashikimet e një viti më parë mbi të cilat u hartua edhe buxheti i 2009-s, qeveria e cilëson si të suksesshme ecurinë e vendit krahasuar me shtetet përreth. "Ky ritëm rritjeje pozitiv i ekonomisë sonë i rezultuar për vitin 2009, i shoqëruar me ruajtjen e fondamenteve dhe stabilitetit ekonomik të vendit, është mjaft i kënaqshëm nëse vihet në një rrafsh relativ me ecurinë ekonomike të vendeve të rajonit, apo më gjerë",- theksohet në dokument. Kriza u pasqyrua në disa tregues si, ulja e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, përkeqësim treguesve të bilancit tregtar, rritje të papunësisë sidomos gjatë tremujorit të katërt të vitit 2009, etj. Për sa i përket bilancit tregtar, gjatë periudhës janar-nëntor 2009 niveli i rritjes sё eksporteve ra me rreth 11.8 për qind, ndërsa importet pësuan një rënie prej 2.3 për qind, duke bërë që deficiti tregtar të zgjerohej me rreth 1.2 për qind. Gjatë viti të shkuar, numri i të punësuarve në industri ka pësuar një rënie me nga 4 për qind për çdo tremujor. Kurse numri i të punësuarve në ndërtim rezulton të ketë pësuar një rritje prej 7 për qind. Rënia e importeve ka ndikuar direkt në uljen e të ardhurave në buxhet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Sipas të dhënave, gjatë periudhës janar-nëntor 2009 të ardhurat nga TVSH-ja ishin rreth 4.2 miliardë lekë më pak se parashikimi. Treguesit janë edhe më problematik për sa i përket të ardhurave nga akcizat. Gjatë 11 mujorit të 2009-s, arka e shtetit ka mbledhur rreth 3.5 miliardë lekë më pak se parashikimi. Uljen më të madhe e kanë pasur të ardhurat nga karburantet e importuara.

BSH: Bankat të ulin nivelin e interesit te kredive

Banka e Shqipërisë u ka bërë thirrje bankave të nivelit të dytë, që të reflektojnë mbi politikën monetare për uljen e interesit të kredive. "Në përputhje me vonesat kohore që karakterizojnë mekanizmin e transmisionit të politikës monetare, Banka e Shqipërisë pret dhe kërkon që ulja e normës bazë të përcillet më tej në tregjet e kredisë",- ka shpjeguar eksperti i ekonomisë dhe njëkohësisht anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, Ardian Civici. Ai duke iu referuar zhvillimeve në tregjet ndërkombëtare, theksoi se “tregjet financiare janë karakterizuar nga një situatë më e qetë gjatë 6-mujorit të dytë të vitit, çka favorizon ndërmarrjen e këtij hapi”. Sipas analizës së BSH-së, gjatë kësaj periudhe sistemi bankar ka vazhduar të karakterizohet nga mungesa e likuiditetit, e cila është plotësuar nga injektimet e likuiditetit të vet Bankës. Përmirësimi i situatës së likuiditetit si rrjedhojë e rritjes së depozitave në sistem dhe forcimi i sigurisë në treg, krijuan një mjedis të përshtatshëm për transmetimin e sinjalit të politikës monetare në tregun ndërbankar. Ulja e normës bazë në fund të muajit tetor, është ndjekur nga yield-et e letrave me vlerë të qeverisë, pas një trendi rritës që i ka karakterizuar ato gjatë gjithë vitit. BSH-ja ka ndjekur një politikë monetare të kujdesshme gjatë vitit 2009, duke krijuar një ambient të përshtatshëm për zhvillimin e ekuilibruar të ekonomisë dhe për kontrollin e presioneve inflacioniste. Gjatë kësaj periudhe BSH-ja ka ulur me një pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin 5.25 për qind. Gjithashtu, është rritur në mënyrë të vazhdueshme injektimi i likuiditetit, në përputhje me nevojat e sistemit bankar për likuiditet dhe kërkesat e ekonomisë për financim. Për injektimin e likuiditetit, BSH-ja ka përdorur të gjithë gamën e instrumenteve injektuese të politikës monetare, duke lehtësuar në të njëjtën kohë aksesin dhe koston e operimit të sistemit bankar.

1 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›