Babai i tre djemve të vrarë: “Karaj na kërcënoi dy muaj me radhë”
DEVOLL – Familja Mulliri përcolli dje për në banesën e fundit tre fëmijët e saj, ndërsa babai i tyre, mes lotësh dhe dhimbjes, ka treguar se djemtë e tij kanë qenë nën kërcënimin e vazhdueshëm të autorit të krimit prej dy muajsh. Besim Karaj, autori i vrasjes së trefishtë, i cili është shpallur në kërkim policor, ka ushtruar terror psikologjik dhe fizik ndaj tre të rinjve kur ka marrë vesh lajmin se njëri prej tyre kishte shkuar me bashkëshorten e tij.
“Kollovari” i fshatit Vidohovë ka lindur në Thumanë të Krujës dhe njëri prej vëllezërve të tij ka pasur një histori tragjike, pasi ka ekzekutuar një punonjës policie dhe më pas ka vrarë veten. Burimet policore bëjnë të ditur se gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar kërkimet për kapjen e Besim Karajt, ku në operacionet kërkimore marrin pjesë edhe forcat e rendit në territorin fqinj, në Greqi.
Funerali i trefishtë
Tre vëllezërit, Taulant, Xhilian dhe Etlevan Mulliri janë përcjellë për në varrezat e fshatit Vidohovë mesditën e djeshme mes dhimbjeve dhe lotëve. Dy të parët gjetën vdekjen mesditën e së premtes, ndërsa vëllai i tyre, 18-vjeçar, Etlevani, u nda nga jeta në orët e para të ditës së shtunë, si pasojë e plagëve të marra. Për të përcjellë në banesat e fundit vëllezërit Mulliri kishte dalë thuajse i gjithë fshati. Pikërisht në funeral e sipër u mësua dhe humbja e tretë, ajo e Etlevanit 17-vjeçar, i cili u nda nga jeta në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Për t’iu dhënë lamtumirën viktimave ishte edhe nëna e tyre, Liliana Mulliri, e cila është dënuar me 25 vjet burg nga gjykata për një krim të rëndë. Ajo ka lënë qelitë e burgut në Tiranë dhe është nisur në Vidohovë nën shoqërinë e një morie gardianësh. Prej pesë vjetësh ajo nuk kishte shkuar në shtëpinë e saj dhe dje ajo la qelinë për pak orë vetëm për të përcjellë në varr fëmijët e saj të vrarë.
Dëshmia
Në një gjendje të rëndë psikologjike dhe mes dhimbjes së madhe për humbjen e fëmijëve, Xhevahir Mulliri ka rrëfyer pak detaje nga krimi i rëndë që ka ndodhur në familjen e tij. Sipas tij, Besim Karaj kishte disa javë që i kërcënonte djemtë, të cilët punonin në një lokal në qendër të fshatit. Ai ka pranuar për mediat se i biri i tij, Taulanti, kishte lidhje me një femër, e cila ishte e martuar. Madje, prindi fatkeq ka pohuar se marrëdhënien e djalit e kishte mësuar nga mesazhet që shkëmbenin në celular ata. Xhevahir Mulliri thotë se bashkëshorti i gruas e ka marrë vesh dhe prej dy muajsh e ka kërcënuar Taulantin. Ai tha se i kishte kërkuar të birit që të hiqte dorë nga lidhjet me femrën e martuar. Sipas dëshmisë së Xhevahirit, Besim Karaj ishte shprehur se “do ta zhdukte të gjithë familjen Mulliri”.
Babai i tre fëmijëve të vrarë ka pohuar se për kërcënimet që i janë bërë familjes së tij ka informuar edhe policinë, e cila i ka sugjeruar atij që ta ndjekë këtë çështje në rrugë zyrtare, duke bërë denoncimin për autorin e shantazheve. Por vrasja nuk la kohë për ta parandaluar krimin e paralajmëruar.
Kërkimet
Policia e Korçës sqaroi dy ditë më parë historinë e masakrës së ndodhur në familjen Mulliri në fshatin Vidohovë të rrethit të Devollit. Nga hetimi doli se autor i masakrës është 40-vjeçari Besim Hamit Karaj, lindur në Thumanë të Krujës dhe banues në fshatin Vidohovë të rrethit Devoll, i dënuar më parë. Ai është martuar me një vajzë nga fshati dhe jetonte atje duke u marrë me aktivitete të dyshimta, si trafik klandestinësh drejt Greqisë, pasi e njihte shumë mirë zonën. Madje, burime për gazetën thonë se Karaj kishte një motër të martuar në Greqinë fqinje, në kufi me territorin shqiptar. Pas atentatit të trefishtë Karaj është larguar, duke u fshehur në zonat e thella malore. Ai dyshohet se ka kaluar në Greqi, pasi e njeh shumë mirë zonën. Në operacionet kërkimore po merr pjesë edhe Policia greke, ndërsa po mbahet nën kontroll shtëpia ku ka lindur Karaj, në Thumanë të Krujës. Burime për gazetën pohojnë se djemtë e familjes Karaj kanë qenë problematikë për policinë. Njëri prej tyre, disa vite më parë vrau një efektiv rendi dhe pasi u arrestua, u vetëvra në gjendje të rëndë depresive.
Të njëjtën histori fatkeqe shënon edhe familja Mulliri. Liljana Mulliri, nëna e tre djemve të vdekur, ka masakruar të miturin Alberto Xhihani në vitin 2003 dhe pas dy vjetësh eshtrat e tij i ka futur në një thes dhe i ka hedhur në një pus uji. Pas gjetjes së eshtrave, policia arriti të zbardhë detajet e krimit, të arrestojë autoren dhe xhaxhanë e djalit të vrarë për moskallëzim krimi. Dy ngjarjet e ndodhura gjatë kësaj jave, ku janë regjistruar 6 viktima në dy atentate, kanë cenuar rëndë sigurinë publike dhe kanë shkaktuar panik te qytetarët.
ARRESTIMI
Gjurmët në motor zbulojnë autorin e krimit të trefishtë në Durrës
Policia prangos Arian Çelën për vrasjen e tre personave në Durrës
Hetimet që sollën gjetjen e autorit nga Vlora. Ende mister shkaqet
DURRËS – Gjurmët e motorit me të cilin u largua atentatori i vrasjes së trefishtë në Durrës, kanë ndihmuar ekspertët e policisë që të zbardhin ngjarjen dhe të prangosin autorin. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se është arrestuar shtetasi Arian Çela, lindur dhe banues në Vlorë, i njohur me emrin Edison Çela, i cili dyshohet të jetë autori kryesor i vrasjes së Luan Currit, Andi Currit dhe inxhinierit Edmond Shemsi të mërkurën në mbrëmje, në Lagjen Nr. 9 në qytetin bregdetar. Për zbulimin e autorit të krimit u bë shkas një motor “Jamaha”, i gjetur vetëm disa orë pas krimit, i hedhur në një zonë periferike të qytetit të Durrësit. Nga të dhënat e para, në shënjestër të atentatit ka qenë Luan Curri, ndërsa dy viktimat e tjera janë ekzekutuar nga frika se ata do të reagonin pas vrasjes së tij.
Arrestimi
Policia e Durrësit arreston një person si të dyshuar për masakrën që tronditi të mërkurën në mbrëmje qytetin bregdetar. Burime nga Policia e këtij qyteti kanë konfirmuar se i dyshuari i kryesor për atentatin është shtetasi Edison Çela, i njohur në qytetin e Vlorës me emrin Arian Çela, i cili është i moshës 30-vjeçare. Ai është prangosur në orën 5:00 të mëngjesit të djeshëm. Çela është pronar i një lokali në qytetin e Vlorës. “Në bazë të punës disaditore, të fokusuar në disa pista hetimi dhe në të dhënat e grumbulluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, u bë e mundur të dokumentohet se Arian Çela është autor i dyshuar i ngjarjes së ndodhur më 27 janar 2010, në Lagjen Nr. 9 në qytetin bregdetar”, - thonë burimet policore. Me kryerjen e veprimeve hetimore u bë i mundur të identifikohet si personi që ka qëlluar me armë, duke realizuar vrasjen e trefishtë, deklaroi zëdhënësja e Policisë së Durrësit në një konferencë shtypi dhënë dje paradite për mediat. Burime të rezervuara nga Policia bëjnë të ditur se kanë arritur në gjurmët e të dyshuarit si autor i krimit, pasi kishin gjetur gjurmët e tij në motorin me të cilin ishte kryer vrasja. Policia thotë se motori tip “Jamaha” ishte gjetur i braktisur një ditë pas vrasjes në Lagjen Nr. 16, në periferi të Durrësit.
Vrasja
Të mërkurën në mbrëmje, rreth orës 22:50, atentatori ka hyrë në një loto-sport në Lagjen Nr. 9 në qendër të Durrësit, ku ka qëlluar me armë automatike ndaj Luan Currit dhe Edmond Shemsit, të cilët ishin bashkë në një tavolinë. Më pas ka qëlluar ndaj Andi Currit. Dy viktimat e tjera për policinë janë rastësore, pasi janë gjendur në vendin dhe kohën e gabuar. Ai mund t'i ketë vrarë ata për t'u ruajtur nga ndonjë reagim i tyre. Në lokal, në momentin e ngjarjes, gjendeshin 9 persona. Dëshmitarët treguan se në momentin kur i panjohuri hyri në lokal, 18-vjeçari Curri gjendej te banaku, pranë kompjuterit ku vihen bastet, ndërsa Luani dhe Edmondi ndodheshin në të njëjtën tavolinë, e në tavolinat pas tyre kishin zënë vend klientët e tjerë të lokalit. Sipas dëshmitarëve, autori, krejtësisht gjakftohtë dhe i qetë, fillimisht kishte vrarë Luanin dhe Edmondin e më pas edhe 18-vjeçarin Andi Curri. Më pas duket se ishte bllokuar arma apo i ishin mbaruar fishekët, kështu që autori kishte dalë jashtë dhe ishte larguar me motor, të cilin e drejtonte një bashkëpunëtor i tij. Për policinë, shënjestra e vrasësit duhet të ketë qenë Luan Curri, duke u nisur nga një precedent penal i tij përpara 1 viti. Më datë 16 shkurt 2009 ai ishte dënuar nga Gjykata e Faktit në Durrës me 10 vjet burg për përdhunimin e një vajze. Gjykata e Apelit e kishte lënë në fuqi vendimin e Faktit, por Gjykata e Lartë e kishte rrëzuar atë për mungesë provash, kështu që më datë 7 maj 2009 ai u lirua nga burgu, duke qëndruar vetëm 3 muaj pas hekurave. Megjithatë, grupi hetimor nuk ka mundur të zbulojë ndonjë lidhje mes vrasjes së dy netëve më parë me rastin e dënimit.
1 Shkurt 2010