Rriten pagesat ditore për ushtarakët shqiptarë Afganistan
Botohen në fletoren zyrtare tarifat sipas misioneve dhe nivelit të rrezikshmërisë
Janë botuar dje në Fletoren Zyrtare vendimet e qeverisë që parashikojnë rritjen e masës financiare ditore që përfitojnë ushtarakët shqiptar me misione në Afganistan, Bosnje Hercegovinë dhe në Afrikën Qëndore. Me botimin në Fletoren Zyrtare këto vendime pritet të hyjnë në fuqi pas dy javësh. Pikërisht në muajin shkurt nis përllogaritja e shpërblimit financiar të ushtarakëve shqiptar në bazë të masës së re financiare për çdo ditë të kaluar në mision paqeruajtës jashtë vendit. Sipas vendimeve ushtarakët shqiptarë që më parë paguheshin më dollarë tani do të paguhen në lekë dhe masa e shpërblimit është dyfishuar. Nga këto vendime përfitojnë ushtarakët shqiptarë që janë me mision në Afganistan, në Republikën e Çadit në Afrikën Qendrore si dhe në Bosnje-Hercegovinë.
Pagesa
Sipas vendimeve, ushtarët shqiptarë që janë me mision në Afrikën Qendrore nga 60 euro që merrnin në ditë për shërbimin ushtarak tani do të marrin 9 mijë lekë të rinj. Për ushtarët që janë në Bosnjë – Hercegovinë është përcaktuar 6 mijë lekë dita. Ndërsa për ushtarët që janë në Afganistan tani e tutje do të paguhen në bazë të nivelit të rrezikshmërisë që kanë në mision. Për ata që kanë rrezikshmërinë më të lartë, nga 90 dollarë tani do të paguhen me 120 mijë lekë, ndërsa për ata që janë në një nivel më të ulët rrezikshmërie dita do t’ju llogaritet me 9 mijë lekë.
Misionet
Gjate misionit në Afganistan kontingjenti paqeruajtës shqiptar ka kryer detyra në përbërje të Forcave Ndërkombëtare për Siguri dhe Ndihmë (ISAF). Kontingjenti shqiptar është në varësi të drejtëpërdrejtë të kontingjentit turk i cili është pjesë përbërëse e brigadës multinacionale. Kontingjenti shqiptar në misionin e parë është përfaqësuar me 30 trupa të ndara në tre skuadra. Me ndryshimin e strukturës së kontingjenteve të forcave të tjera ndryshoi dhe përbërja e kontingjentit tonë duke u reduktuar në 23 vetë. Në Bosnjë kompania shqiptare është përgjegjëse për sigurinë në Rajlovac dhe kontrollon se kush dhe çfarë hyn dhe del në kamp. Kompania shqiptare konsiston në gjashtë oficerë, gjashte kapterë dhe pesëdhjetë e shtatë ushtarë. Kjo kompani është pjesë autonome e repartit Gjerman. Përpara se të mbërrijnë në Rajlovac, ushtarët kryejnë një kurs intensive trajnimi në vendin tonë. Për tu kualifikuar si roje, ushtarët ndjekin një kurs katër javor në Shëerin, Gjermani i cili përfshin trajnim bazë si dhe të orientuar për misionin. Në korrik të vitit 2008, Forcat e Armatosura Shqiptare kanë angazhuar edhe një kontingjent në operacionin e EUFOR TCHAD-RCA, drejtuar nga Bashkimi Europian në Çad të Afrikës. Republika e Shqipërisë ka nënshkruar marrëveshjen me Bashkimin Europian, për dërgimin e trupave në ÇAD, si pjesë në misionet ushtarake të BE-së. Kontingjenti i FA-ve në Çad të Afrikës është angazhuar për sigurimin e Shtabit të Përgjithshëm që ndodhet në Ndjamena; kryerjen e patrullimit në rajonin e këtij qyteti; eskortim e vizitorëve të ndryshëm; si dhe shoqërim i trupave që mund të lëvizin nga kampi i Ndjamenas për në kampin ABECHE në një distancë 700km, përfshijë edhe sigurimin e trupave gjatë natës nëse e kërkon nevoja. Kontingjenti përbëhet nga një efektiv prej 63 ushtarakësh dhe është nxjerrë nga strukturat e Regjimentit Komando.
1 Shkurt 2010