Ministria e Financave kundër deklaratave të BSH-së
Shqetësimet e ngritura nga guvernatori Ardian Fullani mbi ecurinë e ekonomisë i ka zbehur dje Ministria e Financave. Treguesit e buxhetit, sipas saj, janë pozitiv dhe kjo situatë garanton qëndrueshmëri në pjesën e dytë të vitit. Në ndryshim nga pasqyra ekonomike që bëri Banka Qendrore, Drejtori i Makroekonomisë në Ministrinë e Financave, Hida, shprehet se “janë shpenzuar vetëm 50 për qind e parave për investime dhe deficiti buxhetor është brenda parashikimeve”. Pavarësisht rënies së të ardhurave që kanë shfaqur doganat, për Ministrinë situata është nën kontroll, pasi ka fonde kontigjence. Hida shpjegon se, turizmi do të japë ndikime pozitive në ekonomi gjatë pjesës së dytë. Por pavarësisht situatës optimiste që paraqet, ai heziton të japë një shifër se sa do të jetë rritja ekonomike. Banka e Shqipërisë u shpreh se të ardhurat nga emigrantet ranë me 8 për qind në tre muajt e parë të vitit. Ndërkohë që mbetet në nivele të ulëta besimi i konsumatorit ndaj sistemit financiar. Kjo do thotë se niveli i depozitave të shqiptarëve nuk është i kënaqshëm. Situata sjell për pasojë rënien e kredisë nga bankat dhe vështirëson marrjen e huas së qeverisë nga tregu i brendshëm.
31 Korrik 2009