E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungesa e reshjeve, KESH do të nisë importin e energjisë

13/10/2009  Stojku: Do t’i shesim OSSH-së energji me 2,5 lekë për kilovat/orë

Mungesa e reshjeve gjatë kësaj periudhe, por edhe gjatë dimrit do të ndikojë në uljen e prodhimit të energjisë elektrike. Kjo do të sjellë detyrimisht një rritje të çmimit të energjisë për konsumatorët. Drejtori i ri i KESH-it, Muharrem Stojku, është shprehur dje se korporata do të nisë importet, me qëllim që të realizojë premtimin për furnizimin 24 orë me energji elektrike të popullatës. Sipas tij, ndërprerjet e energjisë të ditëve të fundit kanë ardhur vetëm si pasojë e dëmtimeve të rrjetit, apo remonteve në zona të ndryshme të vendit, por jo për shkak të mungesës së energjisë. Drejtori Muharrem Stojku bëri me dije se Korporata Elektroenergjetike ka aplikuar për rritjen e çmimit me të cilin do t’i shesë energji Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, tashmë i privatizuar. Kjo kërkesë pritet të jetë një kosto më shumë për konsumatorin shqiptar, pasi vetë OSSH-ja ka aplikuar për rritje të tarifave të energjisë për vitin 2010. Sipas Stojkut, deri më tani KESH-i i shiste energjinë elektrike OSSH-së me 1,6 lekë për kilovat/orë, por ky çmim do të rritet në 2,5 lekë për kilovat/orë. Me këtë politikë Korporata Elektroenergjetike pritet që të përballojë një pjesë të shpenzimeve për importin e energjisë elektrike gjatë periudhës së dimrit, por edhe një pjesë të shpenzimeve për detyrimet e prapambetura të kompanisë së shpërndarjes, të cilat i kaluan KESH-it, pas privatizimit. Aktualisht KESH-i ka 200 milionë euro detyrime ndaj bankave të nivelit të dytë, që do të përballohen me rritjen e çmimit të energjisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›