Mungesa e vizitave shton numrin e të prekurve
26/01/2010 Kanceri i qafës së mitrës
Fatkeqësisht vendi ynë renditet si një ndër shtetet me vdekshmëri të lartë të femrave që vuajnë nga kanceri i qafës së mitrës. Shkak për këtë bëhet moskryerja e vizitave të hershme për identifikimin e kësaj sëmundjeje, e cila mund të trajtohet, nëse kapet që në stadet e para të krijimit. Sipas të dhënave të publikuara, rezulton se në Shqipëri çdo vit nga ky kancer preken disa qindra gra, rreth 25 raste të reja për 100 mijë banorë, ku 140 prej tyre humbin jetën. Te femrat shqiptare ky ngelet kanceri i dytë më i shpeshtë pas atij të gjirit. Megjithëse vdekshmëria në vendin tonë është më e ulët se në disa vende të Evropës Lindore, ende ngelet më e larta sesa në vendet perëndimore. Sipas të dhënave më të fundit të ISHP-së, vihet re një prirje në rritje e shfaqjes së kësaj sëmundjeje. Më problematike në këtë drejtim janë zona e Shkodrës, Lezhës dhe Tropojës, të cilat regjistrojnë një numër të madh të prekurish. Më aktivitetin e zhvilluar dje për marrjen e masave parandaluese, është deklaruar nga kreu i Ministrisë së Shëndetësisë, Petrit Vasili se “kemi një nivel shumë të ulët të përdorimit të paptestit (një test i thjeshtë, që identifikon ndryshime prekanceroze në qafën e mitrës). Megjithatë, kjo ministri këtë vit ka për të parën herë një dokument strategjik mbi Shëndetin Riprodhues, në të cilin një kapitull i gjerë i dedikohet politikave të kontrollit dhe parandalimit të kancereve të organeve riprodhues deri në vitin 2015. Ndërsa në projektstrategjinë e re të vaksinimit, që pritet të miratohet së shpejti, është parashikuar të merret në konsideratë përfshirja e vaksinës së re kundër HPV (Virusit të papilomës humane) në programin kombëtar të vaksinimit.