Prifti ngre grupin e punës për vlerësimin e dëmeve
26/01/2010 Në dispozicion të Komitetit Ndërministror për përmbytjet në qarkun e Shkodrës
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, urdhëroi ngritjen e një grupi pune si pjesë përbërëse e grupeve të tjera, në vazhdim të mirëmenaxhimit të situatës së krijuar në qarkun e Shkodrës. Ky grup do të përbëhet nga 12 anëtarë dhe do të ketë si qëllim kryesor evidentimin dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga reshjet dhe përmbytjet në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës. Ky grup, sipas urdhrit të ministrit Prifti, do të jetë në dispozicion të Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile. Ministria e Financave nga ana tjetër ka parashikuar disa hapa për dëmshpërblimin e familjeve. Fillimisht do të bëhet evidentimi i të gjitha dëmeve, sipas një formulari tip, në ndërtesa banimi, objekte biznesi, objekte sociale dhe publike, orendive dhe pajisjeve elektro-shtëpiake, të dëmeve të shkaktuara në kultura bujqësore, gjësë së gjallë dhe ushqimit të tyre. Formularët do të dërgohen pranë Komitetit, bashkë me listën emërore të pronarëve të banesave, shoqëruar me certifikatën e kryefamiljarit dhe dokumentin e identifikimit. Banesat e dëmtuara do të kompensohen me 26 mijë lekë të reja për metër katror, sipas kostos së Entit të Banesave për qytetin e Shkodrës.