Reliket e Asdrenit hidhen në plehra
Muzeu i Asdrenit, në fshatin Drenovë, është shkatërruar plotësisht. Fakte historike dhe letra shqipe, abetare, fotografi dhe dokumente kanë përfunduar në lumin e fshatit. Gjithçka ka ndodhur me fillimin e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare të fshatit. Me nisjen e punimeve, dokumentet e vjetra, që mbaheshin në një dhomë, si mungesë e një muzeu, janë hequr nga ky vend dhe janë hedhur në lumë, apo në fushën e plehrave. Personazhet e këtyre fotove, dorëshkrime të rralla, janë kthyer në kundrues të përvuajtur të këtij gjesti. Pasi janë zhvendosur fillimisht jashtë godinës, ku ruheshin për vlerat muzeore dhe historike, fotografitë, abetaret e vjetra, libra në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaj të sjella në fshat nga Asdreni dhe patriotë të zonës, bashkë me mbeturinat e ndërtimeve janë flakur. Muzeu i Asdrenit në Drenovë, që mbahej si pjesë e rëndësishme e historisë së fshatit, në një ambient brenda shkollës, që pas djegies dhe shkatërrimit të godinës së vjetër në mesin e viteve ‘90, nuk ka mundur të rezistojë më shumë se një dekadë. Për banorët, përgjegjësia e këtij akti bie më shumë mbi autoritetet lokale, që nuk janë kujdesur për ruajtjen e këtyre vlerave. Kanë qenë banorët e fshatit, ata që kanë lajmëruat të parët. Një bari ka parë një mori fotografish të vjetra në anë të lumit të fshatit. Banorët tregojnë se vetëm një pjesë e këtyre fotografive janë shpëtuar nga vetë drenovarët, të cilët i kanë parë me kureshtje në vendin ku ishin hedhur. Pavli Zoto tregon se ka nxjerrë nga lumi dhjetë fotografi, të cilat, edhe pse të dëmtuara, më tepër i ka marrë për shkak se aty ndodheshin patriotë të njohur të zonës. "I kam gjetur në lumë, pasi na tha një nga barinjtë se janë hedhur shumë fotografi dhe libra. Këto kanë qenë në muzeun e fshatit dhe janë hedhur këtu dhe te fusha e plehrave. Ne jemi ankuar në komunë, por askush nuk është përgjigjur, duke i lënë të shkatërrohen", shprehet ai. Kryetari i Komunës së Drenovës, Flamur Sala, nuk ka pranuar të shprehet për këtë çështje. Ai ia ka lënë përgjegjësinë Drejtorisë së shkollës, ku ishin vendosur dokumentet e vjetra. Ndërkohë, drejtori i shkollës 9-vjeçare ka mundur të ruajë dhe shpëtojë një sërë fotografish të vjetra të muzeut, të cilat kishin mbetur në godinë. Ai është shprehur se muzeu nuk i përket shkollës, por është muze i fshatit, dhe është ruajtur edhe më parë nga zhvendosjet e herëpashershme. Në dhjetë vitet e fundit, dokumentet dhe fotografitë janë zhvendosur disa herë, dhe pasi mbaheshin të ekspozuara në komunë, kjo e fundit vendosi t‘i kalojë në një nga klasat e shkollës së fshatit. Edhe pse muzeu i Asdrenit është në varësi të komunës, si muze fshati, kjo e fundit nuk jep sqarime përse janë hedhur në lumë dokumentet historike, duke preferuar t‘i shmanget kësaj çështjeje.