E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomimi fiktiv, "virus" vdekjeprurës për shoqërinë

Një problem alarmues dhe me pasoja negative për ardhmërinë e sistemit arsimor në vend, që ka shfaqur simptoma të dukshme në shoqërinë tonë "demokratike", u cek qoftë në formë, qoftë në thelb nga kolegu analist z. Mentor Kikia, ditë më parë në gazetën SHQIP, pikërisht në datën 11 nëntor. Në atë opinion pasqyrohej keqfunksionimi i mësim-marrjes, roli negativ i vetë studentëve, vizioni mjegullues i tyre dhe perspektiva e paperspektivë e një kinse-diplome të blerë.

Solidarizohem me shkrimin fshikullues të z. Kikia e aq më tepër me faktin syhapët se në pseudodemokracinë tonë të pas viteve ‘90, duke numëruar këtu kushtet mjeruese ekonomiko-sociale të mbarëqytetarëve në 17 vite pluralizëm, fatkeqësitë e ‘97-ës dhe së fundmi ‘97-ën ‘Gërdec‘, si dhe atë që është më e rëndësishme- vrasjen që po i bëhet arsimit, po mbizotëron ende qorollepsja dhe dritëshkurtësia në konceptimin e intelektualitetit dhe rolit të tij në të ardhmen. Ky mikrob, do ta quaja, që fatkeqësisht shumohet edhe nga destabilizimi politik në vend, qëndron në nivelin e viruseve më të rrezikshme për një shoqëri demokratike të re e aq më tepër si kjo e jona.

Por, çka të lë me gojë hapur është konsiderimi i tij (pra i abuzimeve në arsim) nga opinioni shoqëror si i natyrshëm dhe legjitim. Kjo e metë e mentalitetit "si të studiosh dhe të mos studiosh të njëjtën diplomë do të marrësh", që orvatet korridoreve universitare, shihet tashmë si virtyt dhe jo si ves. Pra, mentaliteti dembel i të pasurit diçka që nuk e meriton, mishërohet karakterialisht edhe te shqiptari student, që notën e pamerituar e sheh si gramaturë mbijetese të çastit dhe diplomën fiktive si peshë të mjaftueshme për t‘u përballur me realitetin nesër. Synimi i çmaskimit të mësim-marrjes formale me pasoja dëmprurëse për perspektivën e shoqërisë sonë dhe po aq i tillë edhe për formimin intelektualo-individual të gjithsecilit është edhe qëllimi i këtij opinioni vazhdim... e sigurisht i të gjithë analistëve që e ngrenë si problem të ditës...

Të vjen keq, madje dëshpërohesh, për disnivelin dhe kërkesë-llogarinë në auditorët e djeshme (në periudhën e diktaturës) me mësimdhënien dhe nivelin studentor të sotëm. Me gjithë të metat e atij sistemi në tërësi, ai arsimor brenda tij funksiononte me dinamizëm e ritmikë të kontrolluar dhe si pasojë jepte rezultate të kënaqshme në prodhimin e intelektualëve të zotë. Ky është fakt. Ndërsa sot, sistemi arsimor dhe niveli i intelektualëve që dalin prej tij është nën minimumin e mundshëm. Ky është një paradoks puro shqiptar. E lamë pas të kaluarën, me synim demokracinë, lirinë e fjalës e të veprimit dhe me shpresën se auditorët universitarë në vend do të ishin fabrikat e një edukimi cilësor demokratik. Në realitet, po ngjet e kundërta. Në sistemin bashkëkohor, fatkeqësisht kemi rënë në greminën e farsitetit, falsitetit dhe themelimit të një ‘shtrese intelektuale‘ që krijohet nga leku e jo nga dija. Kjo mënyrë e të menduarit dhe e të vepruarit nuk ka lidhje me demokracinë e as me ritmikën e kapitalizmit, por me anarkinë, fiktivitetin, pazarllëkun e dembelizmin. Kështu që s‘ka pse të na vijë keq kur i rikthehemi një sistemi të dështuar pothuaj në gjithçka (përjashtojmë arsimin) - atij diktatorial - për një vlerë të padiskutueshme brenda tij një vlerë (atë arsimore), që ia vlen ta shfrytëzosh si etalon të cilësisë - të paktën në pseudodemokracinë tonë.

Pronarët e diplomave universitare të sotme, në qoftë se do t‘i krahasonim me të diplomuarit e djeshëm, nuk qëndrojnë për nga niveli më lartë se nxënësit e dobët të shkollave të përgjithshme të asaj periudhe. Ky fakt, edhe pse djeg nuk është iluzion e as nostalgji, por matematikë. Për ironi të fatit, pjesa më e madhe e personazheve që drejtojnë jetën e vendit, qoftë në politikë, ekonomi, diplomaci etj., i përkasin atij niveli intelektual për të cilin folëm më sipër, pra sistemit të shkuar arsimor.

Ndërsa "Të vegjlit" e 17 viteve të demokracisë, të armatosur me "diplomat e plepave", mjerisht, nuk kanë lidhje me diplomën që posedojnë dhe aq më pak me autorësinë e ndonjë mrekullie, apo ndonjë ‘veze të kuqe‘. Lëre më, të përmendim mjedisin e fabrikimit të letrave "me vlerë", pra "vathët-shtetërorë" (universitetet shtetërore, aty ku kullot injoranca), janë kthyer në hane. As disiplinë, as rregull, hiç seriozitet e aq më pak etikë a moral. Në universitetet tona nuk studiohet inteligjenca, por idiotësia, nuk aplikohet disiplina, por shthurja, nuk edukohet morali, por amorali dhe më tragjikja, nuk zë peshë dija, por leku dhe shpeshherë studiohet në sajë të "larishmërisë" fizike. Për shembull një vajzë e bukur, seksi me fundshpinë Lopezi, e merr 10-ën "falas", ndërsa një tjetër, që nuk gëzon këto karakteristika, duhet të paguajë për të pasur atë çka meriton. Kështu që, auditorët tona universitare dhe pasuniversitare, janë kthyer tashmë jo vetëm në qendra të biznesit ekonomik, por dhe atij seksual.

Në këtë sistem arsimor, ku paaftësia (si në mësimdhënie ashtu edhe në mësim-marrje) përqafohet me imoralitetin, atëherë, kambana e alarmit është pak. Faktet kokëforta tregojnë se ajo që është kryesore në krijimi e një shtrese intelektualësh të zotë e me aftësi menaxhuese, vepruese e implementuese të ideve progresiste, sot është kthyer në një biznes ordiner, brenda të cilit ka pak nga të gjitha, fiktivitet, falsitet, korrupsion, imoralitet dhe sigurisht diploma të pamerituara. Diploma këto që dashur ose pa dashur do i çojnë "pronarët" e tyre drejt rrugës kamikaze të vrasjes së vetes dhe të shoqërisë dhe së fundi, do t‘i shndërrojnë këta "pronarë" në viktima qesharake të atyre të tjerëve që "dinë". Ky fiktivitet nuk ndëshkon thjesht diplomë- mbajtësin, por mbarë perspektivën dhe zhvillimin cilësor të një shoqërie të tërë. Nesër, kjo shoqëri e çalët, "falë inteligjencës që prodhon sot" do të bjerë në gjunjët e krizave të njëpasnjëshme. Muret e një shoqërie të ndërtuar me fiktivitete, sidomos, në fushën e arsimimit do të shemben si një kështjellë në rërë.

Çka u tha më sipër, nuk është përfundimi i një tragjedie, por pikënisja e një katastrofe. Dhe jo e një katastrofe të dosidoshme, por e një katastrofe me përmasa kombëtare, me pasoja të rënda në organizimin e një shoqërie cilësore me një ekonomi të fortë, pra e një shteti të vërtet e jo formal... Personalisht, jam i alarmuar për çka po ndodh. Po ju?



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›