Mungesë fondesh, bllokohet shpërblimi i foshnjave të sapolindura
Qeveria nuk ka para për shpërblimin prej 5 000 lekë për të porsalindurit. Prindërit të çilet sjellin në jetë një foshnje, me vendim të Këshillit të Ministrave të dalë në maj 2009, shpërblehen me 5000 lekë nga qeveria. Por, në gjendjet civile ku ata regjistrojnë fëmijën dhe pajisen me certifikatën përkatëse, nuk e marrin këtë shpërblim pasi nëpër minbashki nuk ka mbërritur fondi nga Ministria e Brendshme. Por fonde nuk ka vetëm për shpërblimet e këtij viti. Edhe një vit
më parë janë dhëne para për të shpërblyer vetëm 80 lindje, ndërkohë që mesatarisht në një vit llogariten 650 lindje vetëm në këtë njësi bashkiake. Bonusi i vendosur nga qeveria ka afat 2 mujor brenda të cilit prindërit mund të paraqiten për ta tërhequr që nga momenti i regjistrimit të fëmijës. Ndërsa një tjetër bonos në vlerën 5000 lekë i jepet Bashkia e Tiranës e cila e shpërndan këtë bonus nëpërmjet një banke dhe prindërit mund të paraqiten në çdo moment për ta marrë atë. Mësohet se të paktën në Tiranë, ky problem është në të gjitha njësitë bashkiake. Qeveria ka miratuar një vendim, i cili i shpërblen me 5 mijë lekë të gjithë prindërit, të cilët i regjistrojnë fëmijët e tyre të sapolindur brenda 60 ditëve, ose brenda 90 ditëve për lindjet jashtë vendit. Po kështu, drafti i ri i ndryshimeve në lidhje me lindjet, parashikon edhe heqjen e gjobës prej 2000 lekësh në rastet kur brenda 45 ditëve prindërit nuk e regjistronin fëmijën e tyre. Në këtë mënyrë, drafti ju vjen për ndihmë atyre familjeve në vështirësi financiare, të cilat nuk kanë regjistruar fëmijët e tyre dhe për pasojë të gjobës vazhdojnë t'i lenë të paregjistruar. Po kështu, drafti parashikon edhe shpërblimin prej 5 mijë lekësh për ata prindër që nuk i kanë deklaruar fëmijët e tyre dhe e bëjnë menjëherë pas miratimit të kësaj nisme.