Mungojnë dhuruesit, spitali më i madh i veriut mbetet pa gjak
Prej disa ditësh, spitali rajonal i Shkodrës, që është më i madhi në veri të Shqipërisë, nuk ka gjak për të sëmurët dhe për rastet emergjente. Kjo situatë ka bërë që spitali të ndodhet në një situatë të vështirë, duke mos mundur t‘u përgjigjet kërkesave të qytetarëve. Përveç të sëmurëve të përditshëm, të cilët kanë nevojë për gjak, në raste emergjence mjekët e kanë të vështirë të kurojnë pacientët, të cilët paraqiten në spital për të marrë gjak në raste aksidentesh. Leze Kapaj, infermiere në spitalin e Shkodrës, thotë se rezervat e gjakut janë tepër të vogla. Ajo thekson se nevojat urgjente për pacientët mbulohen nga familjarët e tyre. Mjekët u bëjnë thirrje qytetarëve shkodranë që të dhurojnë gjak në mënyrë vullnetare, pasi rezervat e gjakut nuk u përgjigjen kërkesave të pacientëve. Në këto kushte, kur dikush paraqitet në spital për ndihmë duhet të marrë me vete edhe një grup familjarësh, të cilët duhet të japin gjak, pasi spitali e ka të pamundur ta kryejë këtë shërbim. Shifrat flasin qartë, se vetëm falë familjarëve është mundur të përballohet mungesa e gjakut. Kështu, për këtë vit numri i familjarëve që kanë dhuruar gjak për të afërmit ka qenë 567. Ndërkohë që dhurues vullnetarë janë 49. Ndërsa 39 persona janë dhurues me pagesë, të cilët në raste emergjente njoftohen nga mjekët për t‘u paraqitur dhe për të dhuruar gjak. Dhuruesit me pagesë, për 400 gramë gjak paguhen me 3400 lekë të rinj dhe nuk mund të dhurojnë më shumë se një herë në tre muaj. Gjatë vitit 2008, numri i dhuruesve familjarë ishte 594, i dhuruesve me pagesë 73, ndërsa i vullnetarëve 64. Mjekët tregojnë se nga të katër grupet e gjakut, grupi 0 negativ është më i kërkuari nga pacientët. Grupi që gjendet më lehtë është 0 pozitiv, ndërkohë që më të favorizuarit janë personat të cilët kanë grup gjaku AB, pasi ky lloj grupi është marrës universal. Spitali rajonal i Shkodrës është spitali më i madh dhe më me rëndësi në veri të Shqipërisë, ku paraqiten për ndihmë mjekësore dhe në veçanti kanë nevojë për gjak rreth dhjetë persona në ditë.
A.Hoti
A.Hoti