E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreth 50 shqiptarë nga Maqedonia dhurojnë gjak

"Boll kemi dhënë gjak për "shkjaun", tani do japim për vëllezërit tanë në Shqipëri". Ky ka qenë motivi që një grup shqiptarësh të Maqedonisë kanë udhëtuar nga Struga dhe rrethina të saj, për në Përrenjas. Ka qenë kreu i Bashkisë së Përrenjasit, Artur Topi, ai që ka "bashkuar" shqiptarët e Strugës me ata të qytetit që drejton në përqafim të nismës "dhuratë për gjak, për të shpëtuar një jetë". "Bashkëpunimi ynë me Komunën e Strugës gjen shprehjen më kuptimplotë në sensin e dhurimit të gjakut", ka pohuar kryetari i Bashkisë së Përrenjasit. Nisma për të kurorëzuar aksionin human ka nisur rreth orës 10.00 të paradites së djeshme në mjediset e bashkisë. Sipas burimeve spitalore, kanë qenë rreth 200 persona që kanë dhuruar vullnetarisht gjak në qytetin e Përrenjasit. Kjo është nisma e parë e Kryqit të Kuq shqiptar, që nis nga qyteti i ish-minatorëve të Përrenjasit për të shpërndarë në të katër anët e vendit. Jo pak prej dhuruesve shqiptarë nga Maqedonia kanë sqaruar se nisma e tyre vinte edhe nga informacionet mediatike të Shqipërisë për mungesë të theksuar të dhuruesve të gjakut.

Be.Dy.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›