E Diel, 1 Nëntor 2026

Dasma kthehet në mort, një e vdekur dy të plagosur

 

TRAGJEDIA

Teksa dhëndri digjte shaminë e beqarisë, një prej kushërinjve të tij ka nisur të qëllojë në ajër me armë. Çiftja i rrëshqet nga dora duke goditur dasmorët

LEZHË- Dasma kthehet në mort duke i marrë jetën një personi dhe plagosur dy të tjerë në rrethin e Lezhës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Rrabishtë dhe një prej zakoneve tipike të dasmave shqiptare ka shkaktuar tragjedinë. Nipi i dhëndrit, Roland Çupi, ka tentuar të kryejë adetin e të shtënës në ajër me çifte por arma i ka rrëshqitur nga duart duke i marrë jetën 50- vjeçares Leze Hila dhe plagosur dy të tjerë. Dëshmitarët okularë pohuan se krisma e çiftes ndodhi në kulmin e dasmës kur dhëndri po digjte shaminë e beqarisë. “Arma i ka lëvizur duke bërë që kur Rolandi tërhoqi këmbëzën, tyta e saj të ishte drejtuar nga poshtë”,- thanë dëshmitarët.

Burime zyrtare të policisë së Lezhës pohuan dje se ngjarja ka ndodhur në orën 15 e 30 minuta në fshatin Rraboshtë. Nik Gjeta po martonte djalin e tij dhe në këtë gëzim familjar kishte thirrur dhjetëra njerëz. Dëshmitarët shpjeguan se në momentin e ngjarjes, çifti ishte ngritur që të kërcente dhe të digjte shaminë. Në këtë moment të gjithë dasmorët janë ngritur në këmbë dhe një prej tyre ishte 44- vjeçari Roland Çupi. Ai ka marrë armën e gjahut të të zotit të dasmës ka filluar të qëllonte në ajër. Por, nga pakujdesia, arma është ulur dhe ai ka qëlluar për vdekje Leze Hilën si dhe ka plagosur Sandër Jacin, 45 vjeç dhe Hil Cakën po 45 vjeç. Sipas policisë, viktima në momentet e para është nisur e gjallë për në spitalin e Lezhës, por ka ndërruar jetë pa mbërritur në spital. Ndërsa dy të plagosurit e tjerë, Sandër Jaca dhe Hil Caka, janë dërguar në spitalin e Lezhës. Mjekë të këtij spitali thanë se Hil Caka është në gjendje kritike për jetën dhe për pasojë është dërguar në gjendje kome në spitalin ushtarak në Tiranë. Në spitalin e Lezhës ka përfunduar edhe autori i krimit, Roland Çupi, i cili pasi ka mësuar se Leze Hila ka vdekur, ka kaluar në depresion nervor. Sipas policisë, Çupi mbahet nën mbikëqyrjen e mjekëve, ndërsa vazhdon marrja në pyetje e dëshmitarëve okularë.

“Ne të gjithë e kishim vëmendjen tek çifti, i cili sapo u ngrit për të kërcyer. Nga zhurma e muzikës nuk kemi dëgjuar as krismën e armës. Ndërsa kemi vënë re që një prej tavolinave të banketit është shtrirë barkas nga frika dhe dasmorët morën Lezen në krahë duke e vendosur në një makinë. Pashë me sytë e mi që ajo ishte mbuluar tërë gjak dhe nuk fliste. Ajo ishte shumë rëndë. Ndërsa dy të plagosurit e tjerë kanë qenë më lehtë, të paktën Sandri fliste. Nuk ishim mësuar të shikonim situata të tilla vetëm për filma. U mblodhëm për gëzim, por një pakujdesi e momentit solli edhe hatanë. Jemi të bindur se Rolandi nuk ka dashur të shkaktojë këtë tragjedi, madje ai gjithçka e ka pasur nga gëzimi”,- tregon një prej dasmorëve, kushëri me familjen e dhëndrit.

Policia e Lezhës, e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes u shpreh se gjithçka ka ndodhur në oborrin e shtëpisë, pasi aty është edhe vendi ku familja e Nik Gjokës po e zhvillonte dasmën. Krimi ka ndodhur në afërsi të avllisë së shtëpisë, e cila ishte mbuluar me çadër shiu, ndërsa muri i avllisë i kalonte dy metrat. Policia ka sekuestruar armën e krimit e cila ishte e Nik Gjokës. Gjatë pasdites së djeshme janë marrë në pyetje dëshmitarët okularë të ngjarjes por ka qenë e pamundur marrja në pyetje e autorit të krimit për shkak të gjendjes depresive të tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›