E Diel, 1 Nëntor 2026

Pazar me Xhaminë e Madhe, projekti fsheh ndërtimin e dy kullave tregtare

Ambientalistët: Po abuzohet me emrin e Xhamisë, mbrapa projektit fshihen qendra biznesi. Bashkia dhe Komuniteti Mysliman nuk morën pjesë në tryezën e djeshme për projektin e Xhamisë

Xhamia-e-reNë lulishten para Parlamentit të Shqipërisë nuk do të ngrihet thjesht një Xhami për besimtarët myslimanë, por një kompleks qendrash tregtare. Projekti duket se fsheh mjaft të vërteta, mbi mënyrën se si do të përdoret toka e dhënë nga shteti, dhe godinat që do të ngrihen mbi të. Detajet e projektit janë zbardhur dje gjatë një tavoline diskutimi me ambientalistë dhe arkitektë të vendit, të cilët janë shprehur kundër projektit në fjalë, pasi mbrapa emrit të Xhamisë së Madhe fshihen mjaft pazare të tjera.
Projekti i fshehtë
Ambientalistë, arkitektë dhe shoqata të tjera nuk janë kundër ndërtimit të Xhamisë, por të asaj se çfarë fshihet përtej projektit. Së bashku ata kanë bërë apel për mos shkatërrimin e parkut të vetëm brenda unazës së Tiranës, pasi pranë Qendrës së Ushtrisë do të ndërtohen edhe dy kulla, që do të shërbejnë si qendra tregtare. Eshtë një vendimmarrje, e cila ka shkelur një sërë hapash, duke filluar që nga mungesa e një studimi të detajuar. Këto tre vepra, një xhami dhe dy kulla biznesi, po ndërtohen kaq pranë njëra-tjetrës, kaq pranë Parlamentit dhe në një hapësirë që për fat të mirë ose jo, është hapësira e fundit e mbetur pranë një qendre metropoli siç është Tirana, thotë ambientalisti Sazan Guri.
Mungon studimi
Ambientalistët thonë më tej se nuk ka një studim të mirëfilltë për mjedisin në këtë zonë, ndërkohë që sqarojnë se nuk janë kundër ndërtimit të xhamisë, por janë kundër abuzimit në emër të saj. Nën emrin e promovimit të një xhamie, për të cilën Komuniteti Mysliman ka nevojë, kalojnë kulla biznesi për qëllime të pastra përfitimi dhe spekulimi ndërtimor. Vetë xhamia ndotet me biznese, qëndron mbi biznese, gjë që shkon edhe kundër principeve të fesë. Kanë mashtruar, në lidhje me pronësinë në të cilën ndërtohet xhamia, çështje e cila ende nuk është zgjidhur, tha dje gjatë tryezës së mbledhur për këtë çështje, arkitekti Artan Shkreli.
Arkitektura e Xhamisë
Unioni i Arkitektëve kundërshton deri diku edhe projektin e paraqitur për xhaminë, pasi është e papranueshme nga ana arkitekturore dhe ajo estetike. Na parashtrohet papritur një projekt që nuk është debatuar ndonjëherë. Na jepet një pamje, ku shohim një xhami që ngjan sikur është marrë nga një periferi e Stambollit apo qyteti tjetër të Anadollit. Ka plot shembuj si në lindje ashtu edhe në perëndim të xhamive moderne dhe bashkëkohore, thotë Ledian Bregasi, nga Unioni i Arkitektëve.
Bashkia dhe Komuniteti
Për projektin e xhamisë që është parashikuar të ndërtohet pranë Parlamentit ka kontestime edhe brenda vetë Komunitetit të Myslimanëve. Në debatin për shkatërrimin e parkut ishin të ftuar edhe përfaqësues të Bashkisë së Tiranë dhe Komunitetit Mysliman, por të dyja palët nuk kanë qenë të pranishëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›