E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungojnë ilaçet për ethet hemorragjike, 70-90 ankesa në Shoqatën e Konsumatorëve

Dr. Islam Cani sqaron të gjitha simptomat e sëmundjes si dhe masat parandaluese

Sëmundja e etheve hemoragjike e cila muajin e fundit është përhapur ndjeshëm në zonën e Kukësit shoqërohet me temperaturë të lartë dhe meqenëse jep herë pas here fenomene hemoragjike në disa pjesë dhe organe të trupit , prandaj e ka marrë edhe emrin ethe hemoragjike. Në lidhje me këtë sëmundje

Dr Islam Cani njëkohësisht edhe kryetar i shoqatës së mbrojtjes së konsumatorëve, sqaron për të gjithë qytetarët të gjitha këshillat e masat parandaluese që duhet të merren për këtë sëmundje. Sipas Canit janë rriqrat që favorizojnë sëmundjen të cilat rriten në zonat me shkurre, por edhe zonën me gurë e gëlqerorë të ngrohtë. Ndërsa në lidhje me ankesat e mbërritura pranë shoqatës së konsumatorëve, këto kanë arritur brenda një muaji në 70-90 të tilla. Por një problem i cili është hasur ditët e fundit edhe në pavijonin e infektivit është edhe mungesa e ilaçeve kuruese për sëmundjen e etheve hemoragjike. Ashtu si të gjitha medikamentet e tjera në QSUT, edhe ilaçet për këtë sëmundje mungojnë duke bërë vënë kështu në vështirësi vetë pacientët e të afërmit e tyre. Por jo vetëm në QSUT, edhe në spitalin e Kukësit mungesa e medikamenteve për kurimin apo mjekimin e kësaj sëmundjeje është kthyer ditët e fundit në makth për qytetarët duke marrë shkas edhe nga shtimi i rasteve të njëpasnjëshme. Gjithashtu virusët që gjenden në rriqrat pëlqejnë dhe preferojnë  liqenet, ujërat e ëmbla, ujërat e ndenjura sepse këtu  larvat gjejnë terren të përshtatshëm për zhvillim ashtu sikurse edhe për mushkonjat të cilat janë burim transmetimi të sëmundjes. Sipas Dr Canit fakti që shenjat e para të sëmundjes janë zbuluar në zonat veriore në vend e më saktësisht në Kukës, konkretizohet edhe me të dhëna të përgjithshme që vërtetojnë se të gjitha zonave tona veri-lindore apo jugore të cilat janë shumë të përshtatshme për brejtësit jetesa dhe zhvillimi i rriqrave tek këto vende është në shifra të larta. Shkaktar të kësaj sëmundjeje janë viruset të cilët kanë hyrë tek rriqrat, por edhe disa grupe të mëdha vektorësh të cilët janë transmetuesit më të mirë të cilët ndihmojnë në zhvillimin dhe në metamorfozë. Sipas kreut të shoqatës për mbrojtjen e konsumatorëve Cani ky virus ka dy mënyra zhvillimi dhe kalimi nga rriqra tek njeriu. Mënyra e parë sipas tij është kur disa rriqra virusin e mbajnë në vetvete nga 6-9 muaj, pastaj ky i fundit bëhet aktiv. Ndërsa  mënyra e dytë ka të bëjë me faktin se në disa rriqra virusi kalon te njeriu shumë më shpejt  e pikërisht kjo e bën që të dallohen dy lloj ethesh hemorragjike që kanë të gjitha tiparet e njëjta edhe zhvillimin e njëjtë me përjashtim të këtij ndryshimi. Ethet  Hemorragjike fillon me temperaturë, dobësi e thellë, ndjeshmëri të lartë, dhimbje koke, dhimbje këmbësh sidomos në rajonin lumbo-sakral (në kërbishte). Në sy zakonisht kemi skuqje hiperemi, skuqje të fytyrës, të gjoksit etj.


Simptomat
Shenjat fillestare të sëmundjes, shoqërohen me dhimbje dhe heqje barku, të vjellat jo në të gjitha rastet. Një karakteristikë e veçantë është edhe hiperemia deri në hemorragji në qiellzën e butë, në faring, në hundë, mushkëri, në zorrë , por në disa raste edhe në vaginë dhe ovulë tek femrat. Në të gjitha rastet është tepër agresive temperatura dhe një rast i neglizhuar nga personi apo nga mjeku gjendja rëndohet dhe sëmundja kalon në hemorragji të thellë deri në humbje jete. Kjo kohë me temperature e shoqëron gjate deri në 5-12 ditë, ndërsa tek të rinjtë kjo temperaturë zbret menjëherë dhe në këto raste rimarrja e shëndetit është shumë e gjatë. Përsa i përket mjekut të zonës jo vetëm nuk duhet që të heqë nga mëndja këtë sëmundje sepse është rojtari dhe sinjalizuesi i parë pra menjëherë duhet ti shkojë në mëndje që në fillim të mundësojë analizat e mundshme, konsultime në qendrën shëndetësore më të afërt dhe me specialistët më të mirë. Më shumë sëmundja shfaqet tek moshat e reja që punojnë dhe kullosin bagëtitë  në pyjet e lartpërmendura, por nuk përjashtohen edhe rastet tek ato persona që punojnë në procese të ndryshme të mjeljes, së bagëtive, qethjet etj.

Masat parandaluese të etheve hemoragjike
1- Do të cilësoja fillimisht se duhet bërë lufta kundër rriqrave e këpushave te rritura (pastrimi mekanik) dhe atyre larvore për të mënjanuar burimin e transmetimit.
2- Masa te rrepta dezinfektuese
3- Njerëzit duhet të evitojnë lëvizjet me bagëti në ato zona, si dhe hyrjet në ato mjedise ku rriten brejtësit, jetojnë dhe  zhvillohen larvat dhe rriqrat.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›