E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruli premton mbështetje maksimale për prodhimin vendas

Agroindustria e shkëputur nga prodhimi bujqësor, e që furnizohet me lëndë të parë importi përbën një problem me pasoja për bujqësinë dhe ekonominë në përgjithësi. "Në Shqipëri kemi pasur dhe paradokse ku teknologji shumë moderne, po marr rastin e industrive të përpunimit të qumështit, nuk arrinin të punonin dot as me kapacitete 30 për qind.

Pra, praktikisht ishin në gjendje falimenti. Pikërisht, me skemat tona të subvencionimit të fermës, duam të ndërhyjmë dhe në këtë drejtim, të korrigjojmë këtë fazë, duke i dhënë rëndësi pikërisht bazës prodhuese pa u zmadhuar madhësia e fermave. Zor se do të kemi një investim të kapitalit privat në industrinë agroushqimore", tha Genc Ruli, ministër i Bujqësisë. Rasti i Korçës është gjithashtu edhe një shembull sesi përveç prodhimit masiv dhe të përqendruar bujqësia ka potenciale të tjera të mëdha për zhvillim. "Korça ka një mori produktesh që janë tipike, të cilat do të hyjnë dhe në skemat e mbrojtjes së produkteve tipike, dhe që në skemën e zhvillimit të agroturizmit, që nga Voskopoja, Dardha, e disa vende të tjera të Korçës, këto produkte mund të marrin dhe një vlerë të shtuar për arsye se duke u zhvilluar ndoshta dhe simbolin në markën e prodhimit bio, vetvetiu tregtohen si produkte të vlerës së lartë", vijoi Ruli. Ne qarkun e Korçës ka investime të konsiderueshme në agropërpunim. Kjo falë traditës por edhe faktit se prej këtij qarku merret rreth 30 për qind e prodhimit bujqësor të vendit. Pak kohë më parë fermerët që do të aplikojnë për kredi, do të kenë të mbuluar rreth 50 për qind të principalit nga shteti. Por ato fermerë që do të përfitojnë këtë lehtësi duhet të plotësojnë kushtet e përcaktuara për të përfituar nga fondi i garancisë. Qeveria shqiptare me vendimin nr. 1290, datë 23.12.2009 dhe udhëzimin nr. 1, datë 14.01.2010, ka miratuar Fondin e Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural në shumën 1.435 miliardë lekë, ku pjesë e këtij fondi është edhe Fondi i Garancisë në shumën 220 milionë lekë për nxitjen e kreditimit të veprimtarive bujqësore të agro-industrisë dhe të atyre të orientuara për eksport. Ky fond garanton në masën 50% të principalit, kreditë që merren për fushat e përcaktuara. Nga ky fond mund të përfitojnë garantim kredie përfituesit që plotësojnë disa kushte. Ato duhet të jenë biznese të regjistruara si person fizik apo juridik në Republikën e Shqipërisë dhe të kenë paguar rregullisht detyrimet fiskale ndaj shtetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›