E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungojnë marrëveshjet, pacientët drejt vdekjes

Sipas pacientëve që kanë nevojë për transplant, marrin përsipër shpenzimet në spitalet e huaja, por nuk mund të sigurojnë vizat

I kanë ditët e numëruara për shkak se nuk mund të realizojnë transplant, edhe pse marrin përsipër në mënyrë private të gjitha shpenzimet e mundshme. Madje ata kanë arritur të shënojnë emrat në listat e pritjes për transplantin e mëlçisë në spitalet e huaja, por shteti ynë nuk merr përsipër që t'i ndihmojë këta persona në mënyrë ligjore për t'i dërguar në spitalet e huaja. Kështu shprehen disa nga pacientët në shërbimin e Gastrohepatologjisë në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", të cilët theksojnë se e kanë të pamundur të përfitojnë transplantin e mëlçisë, edhe pse janë gati të paguajnë. Ndërkohë mjekët e këtij shërbimi pohojnë se nuk kanë ndonjë marrëveshje me shtetet e huaja që pacientët tanë të përfitojnë këtë transplant, edhe pse numri i atyre që kanë nevojë për këtë ndërhyrje është i madh. "Nuk di të kemi ndonjë marrëveshje për transplantin e mëlçisë, madje mungon edhe një kuadër ligjor për këtë transplant",- pohon doktor Bashkim Resuli në pavionin e Gastrohepatologjisë. Të njëjtën përgjigje japin edhe profesorët e pavionit të Nefrologjisë, Nestror Thereska dhe Alketa Koroshi, të cilët pohojnë se për pacientët tanë njohin raste vetëm kur kanë bërë transplantin e veshkës, por jo të mëlçisë. Të ndodhur në këto kushte, pacientë të tillë pohojnë se janë të destinuar për të vdekur pasi strukturat shtetërore nuk marrin asgjë përsipër.

Pacientët

Nuk shohin asnjë mundësi për të përfituar ndihmë nga strukturat shtetërore në mënyrë që të përfitojnë edhe ca vite jetë. Kështu, pacientë që kanë sëmundje të rëndë në mëlçi dhe që shansi i tyre i vetëm është transplanti, pohojnë për gazetën se janë të gatshëm të paguajnë për këtë transplant por sipas tyre, mjekët u kanë thënë se ne nuk kemi marrëveshje me shtetet e huaja për këtë shërbim. Duke mos i përdoruar emrat e tyre, pasi është shkelje e etikës, persona që kanë sëmundje të rëndë si Hepatit C dhe janë në kërkim të transplantit nuk u publikohet emri. Megjithatë një 49-vjeçar me inicialet B.E., pohon se në rrugë private të afërmit e tij e kanë ndihmuar të shënojë emrin në listën e pritjes për transplantin e mëlçisë në një spital të Italisë dhe në një spital në Amerikë, por ka gjetur pengesa në ambasadë pasi nuk i japin vizë. "Jam gati të paguaj për çdo shërbim. Madje edhe emrin e kam shënuar në listën e pritjes për transplant në spitale të huaja, por strukturat shtetërore nuk po më ndihmojnë të marr vizën",- pohon pacienti B.E.

Mjekët

Transplanti i mëlçisë jo vetëm që nuk realizohet në vendin tonë, por nuk kemi asnjë marrëveshje për të dërguar pacientët tanë në spitalet e huaja. Kështu shprehen mjekët e QSUT-së duke shtuar se mungon një kuadër ligjor për këtë lloj transplanti. Kështu, mjekët shpjegojnë se për këtë transplant kanë nevojë shumë persona, sidomos ata që kanë sëmundje të rënda të mëlçisë si Hepatiti C. "Transplanti i mëlçisë, është më i vështirë sesa transplanti i veshkës dhe kjo jo nga pikëpamja mjekësore, por thjesht për faktin se veshka, duke qenë organ çift, gjendet më kollaj sepse e dhurojnë të afërmit e të sëmurit", -pohojnë mjekët duke shtuar se të sëmurët që kanë nevojë për këtë mënyrë mjekimi, veçanërisht kur janë të rinj, janë jo të rrallë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›