Magjistratura, kurse oratorie për gjyqtarët
Spahiu-gjyqtarëve: Trishtohem kur dëgjoj mënyrën e komunikimit. Nuk dini të artikuloni tre fjalë
TIRANË- Sfida e zgjedhjes së më të mirit, mes një grupi kandidatësh ku vështirë të fshihet paaftësia e komunikimit në publik, nuk qe edhe aq e lehtë për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Maratona dyditore, më shumë sesa vizione largpamëse për drejtimin e gjykatave, nxorri në pah handikapin që shumica e gjyqtarëve kishin mundur ta fshihnin deri dje brenda sallave të vogla të gjyqit. "Trishtohem kur dëgjoj mënyrën e komunikimit. Nuk jeni në gjendje të artikuloni tre fjalë e flisni si miza në qyp". Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, nuk ka kursyer edhe këtë herë kritikat për atë grup prej 54 gjyqtarësh, që pretenduan se ishin drejtuesit e duhur për 16 gjykata të vendit. Në përfundim të takimit të djeshëm, ku bënë prezantimin e tyre kandidatët e fundit për 7 vende vakante të Gjykatave të Rretheve Pogradec, Kukës, Tropojë, Mat, Lezhë, Pukë dhe Kurbin, nënkryetari i KLD-së shprehu zhgënjimin e tij për shumicën e gjyqtarëve, të cilët sipas tij nuk dinë të thonë më shumë se ca fjalë shabllone para një audience të gjerë.
***
"Në përfundim të kësaj gare transparente për kryetarë gjykatash, nuk mundem të mos e përmend një gjë që më ka zhgënjyer gjatë këtyre dy ditëve të prezantimit të vizionit të tyre nga 54 gjyqtarët, kandidatë për 16 vende vakante. Shumica prej tyre, mbi 75 % e tyre nuk kishin përgatitjen bazë të komunikimit me publikun. Është një deficiencë e theksuar në mënyrën e komunikimit me publikun. Ndihem i trishtuar kur pas këtyre dy ditëve, ku kam dëgjuar vizionin e 54 kandidatëve, të cilët nukishin në gjendje të artikulojnë tre fjali të vetme për atë se çfarë duan të bëjnë ndryshe. Kishte edhe nga ata që edhe pse të shkruara në dy apo tre faqe format letër, nuk ishin në gjendje t'i thonë me pak fjalë. Është një defekt alarmant, por që shpresoj të jetë pjesë e emocionit", -tha Spahiu në fjalën e tij.
***
Mungesa e theksuar e oratorisë në komunitetin e gjyqtarëve ka nxitur nënkryetarin e KLD-së, Spahiun të mendojë një mënyrë për të ndryshuar gjendjen. "Do të kërkoj nga shkolla e Magjistraturës që të mbajë seminare trajnuese për gjyqtarët, për mënyrën e komunikimit me publikun. Mbi 75 % të kandidatëve që dolën para anëtarëve të KLD-së nuk përmbushnin kriteret e komunikimit, duke mos mundur të artikulojnë tre fjalë",-tha zvkryetari Kreshnik Spahiu në përfundim të prezantimit të vizionit të tyre nga kandidatët për 7 kryetarë gjykatash. Ndërsa aty rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme, anëtarët e këshillit u mblodhën në sallën e mbledhjeve pranë ambienteve të KLD-së për të zgjedhur 7 emrat e kryetarëve të Gjykatave të Rretheve, Tropojë, Kukës, Mat, Kurbin, Pukë, Lezhë dhe Pogradec. Sipas burimeve nga KLD-ja thuhet se përzgjedhja e krerëve të gjykatave të lartpërmendura, përveç aftësive profesionale dhe rezultateve në punë, janë vlerësuar edhe projektet dhe vizionet e tyre për drejtim e Gjykatave dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve në institucionet ku do të drejtojnë. Mandatet e kryetarëve të zgjedhur, në bazë të ndryshimeve më të fundit, do të jenë katërvjeçarë me të drejtë rizgjedhjeje.
Të zgjedhurit dje
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës- Flamur Kapllani
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin - Alfred Gjoni
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhe - Fjoralba Prifti
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat - Artan Çupi
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec - Niko Rapi
Gjykatës së Rethit Gjyqësor Pukë -Shtjefën Lleshi
Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tropojë - Dritan Seci