Studimi, vetëm 20% e adoleshentëve bëjnë aktivitet fizik
Sipas studimit të ISHP-së, njerëzit janë indiferentë ndaj aktiviteteve fizike. Ja sëmundjet që stimulohen nga inaktiviteti
Mungesë të aktiviteteve fizike, e si pasojë stimulim i sëmundjeve tepër të rënda. Problemi është akoma më dramatik, kur moshat e reja tregohen tepër indiferente ndaj aktiviteteve fizike. Kështu, në një studim të realizuar nga Instituti i Shëndetit Publik, në të rinjtë e shkollave të mesme tregohet se vetëm 20 për qind e tyre kryejnë aktivitete fizike. Të ndodhur përballë këtyre të dhënave, specialistët e Ministrisë së Shëndetësisë, me rastin e muajit të sensibilizimit për aktivitetet fizike, tregojnë edhe pasojat që vijnë pikërisht për shkak të mungesës së aktivitetit fizik.
Studimi
Janë dembelë dhe indiferentë dhe aq më tepër nuk mund ta kuptojnë se pikërisht mungesa e aktivitetet fizik i dërgon ata drejt sëmundjeve të rënda. Kështu shprehen specialistët e Shëndetit Publik, të cilët theksojnë se jemi ndër popujt më indiferentë ndaj këtyre aktiviteteve. "Vetëm 20% e adoleshentëve kryejnë aktivitet fizik. Kjo prevalencë është 30% për meshkujt dhe 13% për femrat", bëhet e ditur në studim. Pabarazi shfaqin grupet e ndryshme socio-ekonomike: njerëzit më të varfër kanë më pak kohë të lirë, ose jetojnë në mjedise që nuk e mbështesin aktivitetin fizik. Ndërkohë specialistët pohojnë se janë alarmuese vlerësimet mbi kostot e kujdesit shëndetësor dhe humbja e fuqisë ekonomike për shkak të sëmundjeve, paaftësitë për punë të lidhura me sëmundjet, apo vdekja e parakohshme. "Inaktiviteti fizik është pranuar si shkaktari i rreth 3.5% të barrës së sëmundjes",- pohojnë specialistët.
Sëmundjet
Mungesa e aktivitete fizike luan rol të rëndësishëm në stimulimin e sëmundjeve të rënda. "Inaktiviteti fizik është bërë një faktor madhor risku për sëmundjet kronike tek popullatat. Aktiviteti fizik përmirëson si mirëqenien fizike, ashtu dhe atë mendore",- pohojnë specialistët duke shtuar se pakëson rreth 50% të riskut në shumë çrregullime të lidhura me inaktivitetin, të tilla si sëmundjet e zemrës, aksidentet cerebrale, mbipesha dhe obeziteti e plot sëmundje të tjera. Gjithashtu, specialistët pohojnë se te të moshuarit, studimet epidemiologjike kanë vërtetuar se 15-20% e riskut total për sëmundje koronare të zemrës, diabet tip 2, kancer të kolonit, kancer të gjirit, dhe fraktura femorale i atribuohen inaktivitetit fizik.
E.Bardhi
Sëmundjet nga inaktiviteti
Sëmundjet e zemrës
Aksidentet cerebrale
Mbipesha dhe obeziteti
Kanceri i kolonit
Kanceri i gjirit
Depresioni
Stresi, ankthi dhe vetmia
Hipertensioni