Basha shet 257 mijë euro shtëpinë në Holandë
TIRANË- Duke ndjekur “gjurmët” e kryeministrit, edhe Lulzim Basha ka bërë lëvizje të mëdha financiare duke shitur apartamente. Në deklarimin zyrtar të pasurisë së ministrit të Jashtëm është shënuar se ai ka shitur shtëpinë që kishte në Holandë. Sipas tij, shtëpia e blerë me bujë vite më parë është shitur për pak më shumë se 257 mijë euro. Por jo të gjitha këto para kanë shkuar në xhepat e ministrit Basha pasi 199.726 euro ai ka paguar pjesën e mbetur të shtëpisë. Ndërkohë ai ka shlyer edhe këstin e fundit të apartamentit të blerë në rrugën “Dervish Hima” në kryeqytet. Ky këst është në shumën 35 mijë dollarë amerikanë. Por shitjet e pinjollit të kryeministrit Berisha nuk kanë përfunduar me kaq. Bashkëshortja e tij, Aurela Basha, ka shitur edhe makinën e tij për një shumë të konsiderueshme prej 45 mijë eurosh. Të gjitha këto para ajo ka depozituar në një bankë të nivelit të dy. Pothuajse çdo vit Lulzim Basha ose e shoqja e tij Aurela kanë kryer veprime të tilla financiare duke shitur e blerë pasuri të ndryshme. Një vit më parë Aurela Basha ka blerë një apartament në Golem të Durrësit si dhe ka shitur shtëpinë e vjetër në kryeqytet për 100 mijë euro. Në zërin e të ardhurave, Lulzim Basha ka shënuar pagën e tij si ministër, 1.563.360 lekësh të reja. Kësaj i shtohet edhe shpërblimet në shumën 46.600 lekë të reja. Ndërkohë bashkëshortja e tij, Aurela Basha ka përfituar për një vit pagën e 51 mijë eurove. E. Janina