E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fullani, çmimet do vazhdojnë rritjen

 Guvernatori kërkon reforma në bujqësi, rritja e çmimeve godet shtresat me të ardhura të pakta

Shqipëria nuk mund t'i shpëtojë krizës së çmimeve pasi vendi mbetet tërësisht importues në pjesën dërrmuese të mallrave, duke përfshirë edhe ato të konsumit bazë. Importet zënë pjesën dërrmuese të konsumit, duke filluar që nga buka e uji dhe deri tek ato që mund të quhen mallra luksi, që janë 100% të importuara. Alarmi për inflacion në rritje është dhënë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në Komisionin parlamentar të Ekonomisë, gjatë prezantimit të raportit për vitin 2007. Ai ka deklaruar se, kriza botërore e ushqimeve do të ndikojë në ekonominë tonë dhe se rrezikohet një rritje e mëtejshme e inflacionit. Në këto kushte, kreu i Bankës Qendrore i ka sugjeruar qeverisë që të marrë masa për të zhvilluar sektorin e bujqësisë, si e vetmja mënyrë për të minimizuar efektet negative të kësaj situate. "Kriza botërore e ushqimeve do të vazhdojë për një periudhë afatmesme dhe duhen masa urgjente për strukturimin e bujqësisë. Presionet në kahun e ofertës do të shtohen dhe kjo do të ndikojë në inflacion",- ka deklaruar Fullani. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë ka deklaruar se po monitorohet me kujdes situata, duke lënë të kuptohet se, për momentin, nuk do të ketë ndërhyrje të institucionit mbikëqyrës bankar nëpërmjet rritjes së normës bazë të interesit për lekun. Përveç krizës botërore të ushqimeve, inflacioni në vendin tonë rrezikohet edhe nga faktorët e brendshëm, si shumëfishimi i efekteve të rritjes së çmimit të energjisë dhe fluksi i madh i investimeve publike të parashikuara këtë vit, të cilët do të ushtrojnë presione mbi këtë tregues, duke shkaktuar rritjen e mëtejshme të kostos së jetesës në vend. Gjatë muajit të kaluar, inflacioni arriti nivelin alarmant të 4.6 për qind, duke tejkaluar objektivin e vendosur nga Banka e Shqipërisë. Kjo e fundit ka parashikuar që këtë vit, ky tregues të luhatet në kufijtë e 3 për qind, me një normë tolerance plus/minus 1 për qind.

Bujqësia e paralizuar

Ndërsa të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë kanë mundur që të kenë një rritje reale gjatë vitit 2007, bujqësia në vend ka regjistruar vitin e saj më të keq në dekadën e fundit. Pa asnjë lloj mbështetjeje, përjashtuar nga të gjitha skemat shtetërore, tokat kanë mbetur djerrë, ndërsa në shifra, sipas raportit të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar kemi një rënie në prodhimit real në këtë sektor me 1.9 për qind. Duke vlerësuar këtë faktor të rëndësishëm në ofertë për ekonominë, disa herë Guvernatori i BSH-së ka kërkuar që të merren politika mbështetëse në këtë sektor. Por bujqësia shqiptare nuk ka patur asnjë mundësi që të shmangë krizën, pasi çmimet rekord të naftës e kthejnë këtë sektor në kohën e parmendës. Me një çmim nafte që ka mbërritur në 150 lekë për litër, askush nuk mund të mbjellë dhe të korrë. Një gjë e tillë mund të thuhet me siguri në rastin e drithërave, ku pavarësisht çmimit të lartë të prodhimit përfundimtar, kostoja e mekanikës bujqësore nuk lejon që t'i shkohet procesit deri në fund. Edhe eksperimenti për subvencionim të bujqësisë me anë të një skeme, që mbetet tërësisht i pa-aplikueshëm, nuk solli asgjë të re. Varfëria ka mbërthyer gjithë popullsinë që jeton në këto zona, të cilat kanë mbetur tërësisht jashtë vëmendjes shtetërore. Në të gjitha raportet e vlerësimit të varfërisë në vend, të varfrit identifikohen me fjalën "fshat".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›