Mungon avokati, shtyhet gjyqi për vrasjen e Kastratit
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë dje seancën gjyqësore ndaj dy vëllezërve Qamil dhe Behar Kastrati, të dy të akuzuar për vrasjen e mjekut Behar Kastrati në Has, më 7 korrik të vitit 2005. Edhe në seancën e djeshme, ministri Olldashi i kërkuar nga dy të pandehurit nuk është paraqitur në seancë edhe pse gjykata kërkoi me insistim paraqitjen e tij. Dëshmia e Olldashit mund t’i japë një drejtim tjetër gjyqit pasi dy të akuzuarit kanë ngritur alibinë se natën e vrasjes së mjekut në Veri ata kanë qenë në shoqërinë e Olldashit në Durrës. Trupi gjykues do t’i dërgojë sot një tjetër fletëthirrje Olldashit. Por nga ana tjetër, ministri Olldashi nuk figuron në listën e dëshmitarëve të pyetur nga prokuroria në lidhje me këtë çështje. Nëse Olldashi vazhdon të mos paraqitet për të dëshmuar, gjykata mund të vendosë sjelljen e tij me forcë, pasi ai nuk ka imunitet. Ndërkaq, gjyqi nuk është zhvilluar pasi dëshmitarët e tjerë nuk mund të merreshin në pyetje për shkak të faktit se njëri prej avokatëve nuk ka qenë i pranishëm.
Plagoset në rrethana të panjohura, enigmë autori
Tiranë – E plagosin sapo kishte rënë errësira, ndërsa policia e ka dërguar në Spitalin Ushtarak. Burimet thanë se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, rreth orës 19:00, kur shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë dhe specialistët e Seksionit kundër Jetës dhe Shëndetit morën njoftim se është plagosur me armë zjarri shtetasi Behar Elezaj, 23 vjeç, lindur dhe banues në Kukës. Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë shërbimet policore, u formua grupi hetimor me qëllim për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarjeje, duke kryer veprimet hetimore dhe procedurale. Shtetasi është qëlluar me armë zjarri, në rrugën “Mine Peza”, në afërsi të një pallati ku nga strukturat e posaçme të hetimit është mundësuar identifikimi i autorit. I dëmtuari aktualisht ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën. Po punohet intensivisht, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, për kapjen e autorit, ndërsa materialet hetimore i kaluan Prokurorisë për veprën penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.
20 Shkurt 2008