E Diel, 1 Nëntor 2026

U godit me mjete të forta, vdes 45-vjeçari, s’ka autorë

TIRANË – Është gjetur i vrarë 45-vjeçari, ndërsa policia nuk ka mundur të zbulojë vrasësin. Burime policore thanë për gazetën se një 45-vjeçar nga Kruja gjeti vdekjen duke u gdhirë e martë, pasi ishte goditur me mjete të forta nga persona ende të paidentifikuar. Policia mendon se vrasja e Vaid Xhixhës mund të jetë kryer për motive gjakmarrjeje, por ende ata nuk kanë grumbulluar të dhënat e mjaftueshme për identifikimin e autorëve të kësaj vrasjeje.
Ngjarja
Policia e Tiranës bëri të ditur dje se rreth orës 00:05 shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë morën njoftimin se në Çekrezë është gjetur i vdekur shtetasi Vaid Xhixha, 45 vjeç, nga fshati Nikël i Krujës. Uniformat blu kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes ku kryen veprimet e rastit. Sipas të dhënave të para, nga këqyrja e kufomës u pa se i ndjeri ishte goditur me mjete të forta në kokë dhe mendohet se hematomat i kanë shkaktuar atij vdekjen e menjëhershme. Personat duhet të jenë larguar menjëherë pasi kanë konfirmuar se kanë përfunduar misionin, që duhet të ketë qenë vetëm vrasja e 45-vjeçarit. Sipas policisë, Xhixha duhet të ketë ndërruar jetë disa orë përpara se uniformat blu të mbërrinin në vendngjarje. Madje mendohet se fillimisht janë njoftuar efektivat e postës së policisë së Fushë-Krujës, por më pas është konstatuar se ngjarja kishte ndodhur në zonën e Tiranës, atëherë në vendngjarje janë thirrur uniformat blu të Komisariatit Nr. 5, të cilat e kanë nën juridiksion atë zonë.
Hetimi
Grupi hetimor, i ngritur menjëherë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, pas veprimeve hetimore dhe procedurale arriti në konkluzionin se 45-vjeçari Xhixha ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasi është goditur me mjete të forta dhe se vrasja e tij mund të jetë kryer për motive hakmarrjeje. Megjithatë, kjo është njëra nga pistat kryesore të hetimit, por jo e vetmja, pasi mendohet se një tjetër alibi për vrasjen e 45-vjeçarit është edhe ajo e grabitjes, por të dyshimta janë rrethanat në të cilat mund të ketë ndodhur kjo e fundit. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi automjetin me të cilin udhëtonte viktima, tip “Ford”, me targë Tr. 3893 E, ngjyrë blu. Sipas policisë, në bashkëpunim me prokurorinë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë, për t’i dërguar ata më pas në bankën e të akuzuarve për veprën penale “Vrasje me paramendim”.

Heroina, pranga katër personave, dyshohen si shpërndarës

TIRANË - Policia e Tiranës njoftoi dje arrestimin e katër personave nën akuzën e “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Sipas policisë, në pranga u vunë Zajmir Bani, 26 vjeç, Jashar Kiptiu, 27 vjeç, si dhe Arian Ymeri e Arben Hysenaj, të dy 27–vjeçarë, lindur dhe banues në Tiranë. Personat e mësipërm u kapën në kushtet e flagrancës në rrugën “Dëshmorët e 4 Shkurtit” dhe “Irfan Tomini”, duke tregtuar lëndë narkotike. Bëhet e ditur nga burimet zyrtare se atyre iu gjet dhe iu sekuestrua me cilësinë e provës materiale përkatësisht 2.5 dhe 21 gr pluhur i dyshuar si lëndë narkotike e llojit Heroinë, një motor tip “Kavasaki”, dy aparate telefoni, 100 gr bimë narkotike e llojit Canabis sativa, si dhe 3 000 lekë, që mendohet se është përfituar nga shitja e lëndës narkotike. Burimet policore konfirmuan se aktet procedurale në ngarkim të tyre i kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

20 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›