Mungon dhe Riberi, Franca luan me ekip “rezervash”
FRANCE- Pas Karim Benzema e Bakari Sanja, Franca ka humbur edhe Frenk Riberi, Erik Abidal e Kevin Gameiro, të cilët nuk do të mund të jenë në fushë në ndeshjen e së premtes ndaj Shqipërisë. Një lajm që është konfirmuar ditën e sotme nga Federata Franceze dhe që e ka detyruar trajnerin Loran Blank të thërrasë dy futbollistë të tjerë për të plotësuar organikën. Kështu, emrat e rinj janë Xhibril Sise i Lacios dhe Zheremi Matjë i Valencias, dy lojtarë që kanë shkëlqyer me skuadrat e tyre në këtë fillim sezoni. “Gameiro dhe Riberi do të qëndrojnë në kombëtare për ndeshjen ndaj Bosnjes”, bëri të ditur Federata nëpërmjet një komunikate zyrtare. Gjithsesi, dëmtimi i Riberi e detyron Blank të hedhë në fushë një skuadër “rezervash” ditën e premte, megjithëse emrat që do të veshin fanelën e “Les Blues” janë nga më të njohurit në kontinent. Kështu, në vend të Riberi pritet të luajë Matjë Valbuena, ndërsa vendin e Gameiros në sulm do ta zërë Bafetimbi Gomis. Thënë ndryshe, Franca mbetet një ekip tmerrësisht i fortë, pavarësisht mungesave që nuk janë dosido. Trajneri Loran Blank gjithsesi, duket i përqendruar totalisht në ndeshjen me Bosnjen, e cila do të vendosë edhe fatet e kualifikimit. “Nuk e prisja aspak, ishte një surprizë e madhe për mua, - tha mesfushori Zheremi Matjë, pas mbërritjes në qendrën stërvitore të Clairfontaine, për ndeshjen e parë me kombëtaren franceze. – Unë vazhdova të bëja më të mirën time te Valencia, duke shpresuar se një ditë ftesa do të vinte. Fillova të përqendrohem vetëm te skuadra ime dhe tani fitova një vend në kombëtare”, shtoi talenti më i ri i Valencias.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)