E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mungon kuorumi, anulohet mbledhja e Këshillit Bashkiak

Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës është anuluar pa dhënë asnjë arsye. Kryetari i këtij këshilli, Njazi Kosovrasti bëri të ditur se mbledhja do të anulohet. Më herët mediat kishin raportuar se në mbledhje do të diskutohej për nismën e fundit të Bashkisë së Tiranës për zhvendosjen e lojërave të fatit në periferitë e Tiranës, që është parë më shumë si një taksë e re e kësaj bashkie, por edhe si një mundësi për korrupsion. Njëkohësisht mbledhja vjen në një moment kur është zbuluar se një fabrikë e kunatit të Lulzim Bashës po përpunon mbeturinat e Tiranës, pasi ka spostuar nga ky biznes qindra romë, të cilët mbanin frymën me këtë punë.

Në lidhje me këtë anulim ka reaguar edhe kryetari i këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi.

Sipas Dalipit, kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha vepron për interesa personale dhe jo për ato të qytetarëve dhe Këshillit. Ne erdhëm të kryejmë detyrën tonë, por kryetari i Këshillit nuk ka dëshirë të veprojë në interes të qytetarëve. Ky është një akt i turpshëm, u shpreh kreu i këshilltarëve të PS-së, Aldrin Dalipi.

Dalipi hodhi hipoteza të ndryshme nga arsyeja që u paraqit sot në Këshill, se mungesa e këshilltarëve të PD-së ishte për arsye shëndetësore. Ai tha se Basha skishte kuorum, prandaj e anuloi mbledhjen.

Ky veprim, sipas këshilltarëve të PS-së, tregon se Basha nuk siguronte dot votat me maxhorancën në mungesë për miratimin e disa vendimeve, e për këtë arsye anuloi mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›