E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot hapen ofertat për Albpetrolin. Sektori i hidrokarbureve bie në duart e privatëve. Braçe: Qeveria të ndalë shitjen

Në garë janë kompani amerikanë, rusë, francezë, kinezë e kuvajtianë

Para hapjes së ofertave për privatizimin e fundit strategjik, atë të kompanisë së naftës “Albpetrol”, interesi i shfaqur nga kompanitë ndërkombëtare është i lartë. Janë 15 firma që kanë tërhequr dokumentacionin, interes i cili pritet për konkretizohet në datën 7 shtator. Sipas informacioneve paraprake, në garë do të jenë kompani, amerikane, ruse, franceze, kineze, kuvajtiane, etj, çka do te thotë se tenderi për këtë shitje, pritet të jetë i fortë. Në një intervistë për “Vision Plus”, zëvendës ministri i Ekonomisë Enno Bozdo, thotë se konkurrenca e lartë do të sjellë maksimizim të rezultatit te këtij procesi. Mësohet se çmimi dysheme nga do të nisin ofertat është 50 milion euro.
Me privatizimin e “Albpetrolit”, qeveria nuk do te këtë më të drejtë në pasuritë e nëntokës dhe mbitokës, për sa i përket sektorit të hidrokarbureve. Shitja e kësaj kompanie është komplekse, pasi në lojë nuk është vetëm interesi ekonomik, por edhe ai gjeopolitik. Me finalizimin e këtij procesi, kërkimi dhe nxjerra e naftës në vend si dhe përpunimi i saj kalojnë tërësisht në duar të privatit. Privatizimi i “Alpetrolit” mbajti peng edhe rishikimin e buxhetit të shtetit.

Ndërkohë deputeti socialist Erjon Braçe i kërkon qeverisë të ndalë shitjen e kompanisë Albpetrol, që sipas tij po kryhet në kundërshtim me interesat e qytetarëve.

Është e papranueshme që një sektor i tërë strategjik, për të cilin Shqipëria ka nevojë prioritare, siç është sektori i hidrokarburëve të shkojë i gjithi në dorë të privatëve, për më tepër që shkon në kushtet e një monopoli të pastër, thotë zoti Braçe për Top Channel.

Siç janë operatorët rusë ata serbë apo kinezë që janë paraqitur në këtë proces. Unë jam i bindur që nesër ata do të kenë ofertat më të fryra për të marrë me çdo kusht dhe për të ndikuar si kudo ku kanë ndërhyrë edhe në politikën kombëtare të këtij vendi, u shpreh Braçe.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›