E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si e vëzhgoi SHISH-i "imamin" Kristo

Historia e shqiptarit të akuzuar se bën thirrje për xhihad islam dhe lidhje me celulat terroriste të Osama bin Laden.


Pjesë nga mesazhet e frikshme ku kërkohet luftë ndaj "armiqve" të Islamit


"Terroristi" shqiptar me mbiemrin e krishterë, Artan Kristo, është ndjekur për muaj të tërë nga agjentët e Shërbimit Informativ Shtetëror. Vëzhgimi dhe përgjimi i tij është kryer në mënyrë konstante duke monitoruar si jetën reale ashtu edhe atë virtuale të ndërtuar në forume të ndryshme nën emrin Muhamed Abdulla Al Albani.


Informacionet e para të marra nga SHISH-i tregonin se ai mund të ishte pjesë e një celule terroriste. Madje ai mund të kishte lidhje me rrjetin e terroristit më të madh të botës, Osama bin Laden.


Pas muajsh të tërë ndjekjeje dhe përgjimi, SHISH arriti të përfundojë dosjen për Kriston. Të gjitha materialet iu dorëzuan prokurorisë së Tiranës më datë 27 gusht 2009. Por materialet e SHISH-it kanë vetëm vlerë referuese dhe prokurorisë iu desh të mblidhte prova të tjera në lidhje me aktivitetin e njeriut të dyshuar si terrorist.


Hetuesit kanë monitoruar aktivitetin virtual të Kristos në disa faqe online dhe aty ka rezultuar se ai kishte tejkaluar elementët që të shpien në veprën penale të nxitjes, thirrjes publike dhe propagandës për kryerjen e veprave penale me qëllime terroriste. Aktiviteti i Artan Kristos ishte zhvilluar në tre faqe online, www.forum-islamik.com; www.udhezimedhedrita.net dhe www.albselefet.net.


"Ky kallëzim është bërë si rrjedhojë e disa pamjeve video të shfaqura në faqen e internetit www.albselefet.net. bazuar në atë që kemi parë dyshojmë se shtetasi Artan Kristo synonte mbështetjen ose kryerjen e veprave për qëllime terroriste. Duke klikuar në këtë faqe interneti, konkretisht tek rubrika "videos", shfaqen dy video të tij me titullin "A ka Xhihad në botën islame sot?".


Në këto video shfaqet i arrestuari Kristo dukë bërë thirrje për Xhihad, të cilin e konsideron si obligim deri në ditën e gjykimit, për të shkuar në luftë me qëllim për të vrarë, për të shkatërruar vendet dhe për të ngritur islamin.


Ai bën thirrje në këtë fjalim për t'u përgatitur besimtarët myslimanë me sa të kenë mundësi, që të ndihmojnë Islamin me Xhihadin e fjalës, të dorës e të shpatës, të bombës e çdo lloj mjeti tjetër që të ketë kur të vijë koha",- thanë hetuesit e çështjes.



Ata i kanë cilësuar këto fjalime si nxitje të urrejtjes fetare që rrezikojnë përçarjet sociale dhe mbarëvajtjen fetare brenda komunitetit mysliman si dhe midis besimeve të ndryshme fetare në Shqipëri.


"Xhihadi është obligim deri në ditën e gjykimit. Të shfrytëzojmë kohën, vendin, të shfrytëzojmë pasurinë, të shfrytëzojmë mundësitë tona, pasi të kemi realizuar ecurinë në aspektin fetar.


Atëherë padyshim se bota do të na nënshtrohet, do t'i nënshtrohet botës islame, nëse realizon këtë çështje...Xhihadi është obligim, si në Palestinë, Afganistan, Irak, apo më herët që duhet të jetë në Andaluzi të Spanjës, ku kanë vdekur muhaxhedinë myslimanë, kanë luftuar për islamin dijetar, hoxhallarë, popull, gra e fëmijë, ku edhe janë masakruar në Andaluza të Spanjës",- është një pjesë nga pasazhet e Kristos.


"...Në Xhihad shkohet për të vrarë, nëse shkon për të vrarë ata qafirë që bëhen pengesë në shtetin islam, është bërë pengesë për shoqërinë islame, për drejtësinë, për shumë gjëra, ta heqësh qafe atë qafir, duhet të shkosh për të vrarë jo për tu vrarë...Nuk jemi kundër Xhihadit, duhet ta kuptojnë këto të Bin-Ladenit që nuk jemi kundër Xhihadit, jemi pro.


Ne i lutemi Allahut që të vijë një ditë e të na mundësohet edhe neve Xhihadi që ta ndihmojmë këtë islam, si me dorë, shpatë, e bombë kur të vijë koha",- thuhet ndër të tjera në fjalët që "imami" Kristo shqipton në pamjet e këtyre videove para një grupi të rinjsh të Rrushbulli në Durrës.


Gjithashtu, sipas dosjes, rezulton se Kristo, prej një kohe të gjatë bën propagandë radikale islamiste, të llojit salafit-tekirist me një grup të vogël të rinjsh nga Rrushbulli e Golemi në Durrës, duke dhënë këshilla fetare tepër radikale për besimtarët myslimanë në faqet e internetit www.forum-islamik.com.


Këto akuza, vetë "imami" Kristo dhe avokati i tij mbrojtës i kanë cilësuar si një kurth i organizuar nga agjentët e SHISH-it. Madje ata pretendojnë se gjithçka është ndërtuar nga Shërbimi për t'i bërë presion Kristos që ai të rekrutohet dhe të shndërrohet në agjent për të treguar gjithçka që ndodh në botën islame shqiptare.


Sot pritet që në Gjykatën e Durrësit të shqyrtohet edhe njëherë kërkesa e prokurorit për vleftësimin e arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë caktuar nga Gjykata e Tiranës me "arrest në burg" për shkak se dosja ka kaluar për kompetencë tokësore në rrethin e Durrësit.


Avokati: Prokuroria fshehu përgjimet e paligjshme të SHISH-it


Mbrojtësi ligjor i të arrestuarit Artan Kristo, avokat Ilir Malindi, akuzoi prokurorinë dhe Shërbimin Informativ Shqiptar se po manipulon e fsheh provat materialet e paligjshme ndaj klientit të tij. "Organi i akuzës është bërë vegël e Shërbimit Informativ Shqiptar (SHISH) pasi ka fshehur disa CD-i dhe transkriptime të bisedave të përgjuara në telefonin e klientit tim.


Veprime këto të kryera në mënyrë të paligjshme dhe duke shkelur të drejtat themelore të njeriut, pasi SHISH-i nuk ka të drejtën e përgjimit të personave. Materialet e përgjimit që ndodhen të renditura në tabelën e materialeve që ndodhen në dosje, prokuroria ka fshehur shkresën me nr. 794, shkresën nr. 2915, shkresën nr. 5424, një zarf me një CD-i nga SHISH-i me nr. 1845 sekret, një zarf tjetër me një CD-i me nr. 794 protokolli të ardhur nga Prokuroria e Përgjithshme.


Të gjitha këto janë fshehur nga organi i akuzës pasi këto prova janë marrë në kundërshtim me ligjin aktual"- tha avokati Malindi, i cili theksoi se klienti i tij do të kërkojë drejtësinë deri në Strasburg.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›