E Diel, 1 Nëntor 2026

Uin-Uin

Negocimi me shumatore zero...

Ekzistojnë disa mënyra negocimi për të arritur një marrëveshje. Ka raste kur dikush nuk dëshiron të merret me kundërshtarin dhe nuk i intereson dëshira e tij e mirë për mirëkuptim, për rrjedhojë ai luan "lojë të fortë" me synimin për të fituar gjithçka në një "ndeshje" bashkëveprimi apo negociatë, ndërkohë që kundërshtari natyrisht nuk ka rrugë tjetër veçse të humbasë gjithçka. E njëjta strategji mund të parashikohet e parapërgatitet edhe nga kundërshtari. Shumë njerëz, jo rrallëherë, përgatiten për beteja të tilla "konfliktuale" ku dikush fiton gjithçka dhe tjetri humb gjithçka. Kjo quhet në literaturë "lojë me shumatore zero", sepse shuma e "fitores" së njërit me "humbjen" e tjetrit del e barabartë me zero, për faktin se "fitorja" është madhësi me shenjë pozitive dhe "humbja" me shenjë negative, por të dyja në masë të barabartë në një bashkëveprim simetrik. Konflikti është karakteristika e këtij lloj bashkëveprimi dhe destabiliteti karakteristika e rezultatit të tyre. Shqipëria në tranzicionin e saj është karakterizuar përgjithësisht nga ky lloj bashkëveprimi. Është hera e parë që ndodh ndryshe me negocimet e përdorura për ndryshimin e sistemit zgjedhor përmes ndryshimit kushtetues...

Negocimi me rezultat uin-uin...

Por në shumë nga negocimet bashkëkohore ndodh ndryshe, sidomos në sistemet demokratike. Bëhet fjalë për negocimet me "shumë jo zero" bile të njohura në literaturë "negocimet uin-uin (në anglisht shkruhet win-win)" që në shqip përkthehet "negocim fitore-fitore". Uin/Uin (fitore/fitore) është një nga gjashtë filozofitë e bashkëveprimit njerëzor: i) fitore/fitore, sipas këtij opsioni çdo person mund të synojë një përfitim reciprok në një bashkëveprim njerëzor e parimor; ii) fitore/humbje, sipas këtij opsioni "nëse unë fitoj, ti humb", kjo është tipike për lidershipin autoritar i cili mendon së nëse të dy fitojnë, të dy humbin; iii) humbje/fitore, sipas këtij opsioni individi synon me prioritet forcimin e popullaritetit përballë pranimit të humbjes; iv) humbje/humbje, ky është një opsion tipik për personat që janë të obseduar nga ndjenja e humbjes së tjetrit; kjo është filozofia e konfliktit dhe e luftës apo e personave dependent, të cilët mendojnë se nëse askush nuk fiton nuk është keq; v) fitore- dhe vetëm fitore, ky është opsion tipik për personat që janë të vendosur të marrin gjithçka për vete pavarësisht nevojave të të tjerëve; dhe vi) fitore-fitore ose jo marrëveshje, që do të thotë se nëse nuk gjendet një zgjidhje me përfitim reciprok midis palëve, atëherë palët merren vesh që të mos merren vesh; kjo është një qasje realiste vetëm në fillim të negocimit, ndërkohë që në një marrëdhënie afatgjatë kur marrëveshja është e detyrueshme, ky opsion nuk mund të jetë një opsion.

Qëllimi i këtyre negocimeve është gjetja e një zgjidhjeje të pranueshme nga të dy (ose më shumë palët) palët, duke i lënë përgjithësisht palët të ndihen se kanë fituar, pasi negociatat kanë përfunduar dhe vendimi është marrë. Në praktikat e negocimit modern, midis partnerësh bashkëveprues e bashkëpunues, gjithnjë e më shumë po fiton terren suksesi i bazuar në rezultatin e arritur ku pothuajse (dhe pse jo edhe të gjithë) të gjithë palët fitojnë. Rezultatet e negocimit uin-uin duke arritur përfshirje mjaftueshmërisht maksimale garantojnë stabilitet në vijim, sidomos në fazën e implementimit të marrëveshjes së arritur përmes këtij tipi të negocimit. Aq më tepër një tip i tillë negocimi është i këshillueshëm për përcaktimin e sistemit zgjedhor, për të cilin kërkohet legjitimitet maksimal politik e përfaqësim të shtetasve...

Ndryshimi kushtetues i sistemit zgjedhor - negocim me rezultat uin-uin

I gjithë negocimi për paketën e ndryshimeve kushtetuese të lidhura me sistemin zgjedhor ishte shumëpërmasor dhe me shumë parametra. Ndërkohë që edhe rezultati është shumëplanësh. Ishte një negocim transparent midis aktorëve politikë. Ishte një bashkëveprim/konsultim me ekspertizën më të mirë vendase e të huaj. Ishte një bashkëveprim/informim me publikun dhe shtetasit. Ishte një bashkëveprim gjerësisht i mediatizuar. Ishte një bashkëveprim për herë të parë pa praninë e moderatorëve perëndimorë. Ishte një negocim me ownership (pronësi) të lartë shqiptar. Dhe rezultati ishte i standardeve evropiane, pse jo edhe negocimi. Ishte një proces gjithëpërfshirës me rezultat të cilin në Kuvend e votuan pro rreth 87 për qind e deputetëve dhe vetëm 17 deputetë ose 12 për qind e votuan kundër. Mund të thuhet pa asnjë dyshim se në themel ishte një negocim modern me koncept e rezultat uin-uin, ku "fitorja" ishte pothuajse shumëplanëshe dhe përmes së cilës një shumicë mjaftueshmërisht e konsiderueshme aktorësh ndihet "fituese". Për të qenë realist, duhet pranuar se për shkak të prezencës së kundërshtarëve (gjë që duket normale, sidomos në kontekstin shqiptar) mund të ketë aktorë apo vëzhgues që e konsiderojnë këtë negocim si jo perfekt, po ashtu edhe rezultatin. Kjo është e kuptueshme dhe ndoshta e pritshme, përderisa bëhet fjalë për një reformë që heq një deformim të konsiderueshëm dhe prek interesa të ndërtuara gjatë një periudhe me shumë defekte. Sidoqoftë, besoj se ishte negocimi më i mirë i deritanishëm, rezultati me gjithëprezencën më të lartë të termit uin=fitore. Ishte një negocim e rezultat i përshëndetur masivisht nga partnerët evropianë e ndërkombëtarë. Kam përshtypjen gjithashtu, se përgjithësisht publiku gjithashtu ndihet maksimalisht e masivisht i "fituar". Bile për sa i përket sistemit zgjedhor, me kalimin e kohës shikohet që edhe "zhurma minoritare" po shuhet dhe "zhurmuesit politikë" kanë filluar të ndihen të "fituar". Uin-Uin po "fiton"...



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›