E Shtunë, 31 Tetor 2026

EDHE NëSE JEMI GATI, ATA DO THONë: Të SHOH ASHTU SI Më PARAQITESH

Ndoshta pakkush e di se fjala "promocion", "promovim", aq e rëndomtë në përdorimin në shqip, vjen nga përngjitja e dy fjalëve-rrënja neolatine: "pro-muovere", fjalë për fjalë me kuptimin: "të vësh në veprim", "të vësh në lëvizje". Edhe në mjediset tona bëhet shumë promocion. Tregtarët po se po, sepse mallin e shet reklama, por bëjnë promocion po aq shoqatat atdhetare, sidomos ato mbi baza lokale; pastaj ato me karakter jofitimprurës.

Ajo që rrëfehet si anekdotë, për negociatat e një përfaqësie të "shpikjes së shekullit", cola-s, me përfaqësuesin e Selisë së Shenjtë, me qëllim që një herë në javë, jo më shumë, kryelutja e krishtërimit "Ati Ynë" të mos mbyllej me formulën kanonike "bukën tonë të përditshme falna sot", por me shprehjen e parapaguar "cola-n tonë të përditshme falna sot", ishin negociata që pastaj dështuan dhe u përmbyllën me një ofshamë të industrialistëve të mëdhenj, të shoqëruar me thënien e dëshpëruar të tyre "se kushedi sa e paguajnë ata të bukës, që s‘na pranuan asnjë propozim". Hmm, kuptohet se asgjë nga kjo "histori" nuk është e vërtetë, por thelbi i sajimit është i bukur.

Edhe shqiptarët shpenzojnë mjaft për promovim. Paguajnë që të shkruhen dhe botohen monografi për gjyshërit dhe baballarët. Paguajnë që të bëhen këngë për paraardhësit e tyre. Paguajnë që t‘u botohen librat dhe t‘u ekspozohen pikturat. Paguajnë që të pranohen në festivale dhe gara letrare-artistike. Paguajnë që të shkruhen nekrologji të mbushura me fjalë të bujshme dhe mbishkrime në varre me vargje të dhimbshme. Paguajnë për të bërë vetveten të njohur në rrethe të gjera, brenda dhe jashtë vendit. Por mua nuk më merakos aspak përdorimi i parasë vetjake, secili mund të bëjë ç‘të dojë me të! Ajo që më bën të shqetësohem është vetëm ajo pjesë e promocionit që bëhet me para taksash jo vetëm si shpenzim. Para së gjithash si zgjedhje. Domethënë, çfarë shije ka shteti dhe sa e nderon apo e turpëron veten ai dhe qytetarët e tij.

Nga të studiuarit dendur të historisë si pjesë e një profesioni që e kam jo pak përzemër, kam mësuar se gjërat bëhen të besueshme vetëm përmes krahasimit.

Pikërisht në vitin 1930 ish-mbreti i shqiptarëve, A. Zogu, i akordoi historianit të mirënjohur kroat me origjinë hebreje, Milan Shuflaj, një honorar prej 75 mijë frangash ari për ta angazhuar në hartimin e një historie të Shqipërisë, për ta bërë Shqipërinë me histori. Të njëjtën gjë e kishte bërë më parë ish-mbreti bullgar me historianin tjetër, K. Jireçek. Bullgarët patën fat: Jireçek-u arriti ta përfundojë historinë e Bullgarisë. Shqiptarët nuk patën dhe aq fat. Një vit pasi Zogu i ofroi kontratën me 75 mijë franga ari, afërsisht 2.5 milionë dollarë me kursin e sotëm, Shuflajn e vranë në Dubrovnik. Pothuajse është provuar se kjo ndodhi pikërisht për shkak se dhuntitë e tij ai i pati vënë në shërbim të promovimit të historisë së shqiptarëve. Një ditë para atentatit, një gazetë serbe e Dubrovnikut pati botuar artikullin "Pse duhet të vritet M. Shuflaj", në të cilin përmendet "albanofilia" e tij. Shuflaj arriti të shkruajë vetëm historinë e Shqipërisë së veriut ("Biologjia e fisit shqiptar"). Në fundin e janarit të vitit 1931 "crna ruka" e vrau. I fisëm siç qe, ndonëse vetëm 51 vjeç, ai kishte depozituar paraprakisht një testament, sipas të cilit, nëse vdekja do ta merrte para kohe, e drejta e autorit për tri vepra të tij, ndër të cilat edhe "Kostantin Balsha" e "Acta Albaniae", do t‘i mbetej Shqipërisë.

Në gjysmën e dytë të viteve 1930, në kuadër të 25-vjetorit të vetëqeverimit, po ish-mbreti Zog pati shpallur një konkurs ndërkombëtar për ngritjen e një përmendoreje kushtuar Gjergj Kastriotit. Morën pjesë skulptorë bullgarë, italianë, kroatë dhe shqiptarë. Një juri me specialistë nga më të mirët diskutoi me javë të tëra për të vendosur për zgjedhjen. Koha që erdhi nuk i dha mundësi monarkut shqiptar ta realizonte projektin e tij.

Se çfarë ndodhi në dekadat që kaloi Shqipëria pas përfundimit të luftës antifashiste pak a shumë dihet. E. Hoxha financoi thuajse vetëm botimin dhe shpërndarjen e veprave të veta nëpër botë. Shumë-shumë dhe të ndonjë albumi a reviste agjitative. Ishte pikërisht letërsia e I. Kadaresë, për të cilën faktor promovimi ishte vetëm vlera e saj e brendshme, që krijoi në Perëndim një përfytyrim tërheqës për Shqipërinë, dhe jo ndonjë politikë promocioni të identitetit kombëtar.

Sot sjellje të tilla as që mund të imagjinohen. Po mund të ndodhë që një qeveri të paguajë 150-200 mijë dollarë për një faqe publicitet në "New York Times", sikurse dëshmohet në vitin 2002, me rastin e 90-vjetorit të shpalljes së pavarësisë. Ose mund të ndodhë po aq edhe për një spot publicitar në CNN, apo në ndonjë rrjet tjetër televiziv.

Edhe këto forma të promocionit janë për t‘u përshëndetur. Sikurse shprehej F. J. Shtraus në fillim të viteve 1980, Shqipëria duhej të dilte nga shurdhëria, duhej të bënte përpjekje të flitej për të, të mos harrohej nga bota, qoftë edhe duke u vënë në dyshim, qoftë edhe duke u qortuar. Por jashtë çdo dyshimi mbetet pyetja: A është kjo zgjidhja më e mirë dhe më e plotë? A nuk do të ishte më e arsyeshme që vëmendja e të huajve të fitohej duke promovuar atë pjesë të vetvetes sonë, që ata kurrë nuk e kanë njohur? Duhet hequr një herë e mirë nga mendja se do të përsëriten fenomene të ngjashme si me E. Durham-in apo Ferenz Nopsca-n. Epoka e atyre që e shihnin me romantizëm dhe hyjnizim Shqipërinë, si rezerva vlerash të së shkuarës, ka mbaruar. Nuk do të ketë më as fisnikë të tillë si M. Shuflaj, që kishte menduar për nderin e vet edhe pas vdekjes.

A mund të ishte më e vlefshme, për shembull, që fuqia promovuese e shtetit shqiptar të përdorej që të nxitet pjesëmarrja e studiuesve të huaj në hartimin e një historie të re, sipas parimit se miku më i madh i të gjithëve është e vërteta dhe jo fitimtari? Bernd Fischer, Noel Malcolm, Antonia Yung, Edwin Jacques dhe shumë të tjerë albanologë të kohës së sotme punojnë për historinë e Shqipërisë në kuadër të projekteve universitare ku janë angazhuar, jo thjesht për simpati ndaj popullit shqiptar. Por një pjesë të tyre e nxit edhe boshllëku që ka lënë dija vendëse në këtë fushë dhe sidomos copëtimi i çështjes shqiptare në disa pjesë dhe pastaj ballkanizimi i saj tërësor.

Por ç‘mendojnë historianët e huaj albanologë ndaj protagonistëve të historisë së Shqipërisë, pavarësisht nëse ata kanë qenë të sjellshëm apo të pasjellshëm me ta, pavarësisht nëse i kanë ftuar në ngjarje jubilare apo jo, pavarësisht se asnjëherë nuk u kanë propozuar të punojnë për projekte të financuara prej tyre. Ne i njohim mendimet e tyre vetëm për aq sa ata shprehen herë pas here në konferenca shkencore ose në artikuj e botime. Sa do të rëndonte mbi buxhetin e shtetit shqiptar, për shembull, financimi i kërkimeve të tyre, qoftë edhe disa mujore, me burimet e vendit, të cilat ata nuk i njohin, dhe s‘kanë si t‘i njohin, sepse dikur nuk i linte kush, kurse sot kostoja e qëndrimit në Tiranë është po aq sa dhe në një vend perëndimor? Nuk ka rëndësi nëse jemi gati për të pritur 2 milionë turistë këtë verë, tha ministri i Kulturës, Ylli Pango, vetëm disa ditë më parë në një intervistë televizive. E rëndësishme është të njihemi se ekzistojmë, të bëjmë me dije se një vend me bukuri ekzotike ndodhet në bisht të Ballkanit, dhe ajo është Shqipëria. Dhe ka të drejtë, por thelbi them se duhet të jetë tutje. Edhe nëse jemi gati për t‘u njohur fizikisht, sa jemi të gatshëm për t‘u paraqitur me të tërën tonë. Në fund të fundit, çfarë presim të na çmojnë në botë: historinë, vetveten si shtet me mbrojtjen e brishtë me të cilën do i presim të huajt apo me atë pak ekzotikë natyrore dhe historike, fort të lënë për të dëshiruar? Dhe i huaji ka të drejtë të shprehet: "Të shoh ashtu si më paraqitesh".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›