Vjedhjet për skrap shkatërrojnë ujësjellësit dhe memorialët e dëshmorëve
Skrapomania shkatërron monumentet dhe veprat publike në juglindje të vendit. Vjedhjet për skrap kanë sulmuar që nga bustet e monumentet në qytet dhe në zonat rurale, deri tek ujësjellësit, uzinat dhe fabrikat e braktisura dhe të mbyllura prej kohësh nga ku merren hekurat dhe pajisjet mekanike të amortizuara që dërgohen më pas për shkrirje, si dhe objektet dekorative që vendosen në ambiente publike. Memorialët dhe monumentet që kanë pasur pllakate dhe germa prej bronzi në dy muajt e fundit kanë mbetur pa mbishkrime, ndërsa germat konfirmohet se përfundojnë për skrap. Kjo situatë ka bërë që vetëm në dy muaj policia të arrestojë të paktën 35 persona për shkatërrimin e veprave publike dhe marrjen e materialeve prej metali për shkrirje për qëllime fitimi. Sipas të dhënave nga ana e policisë, mësohet se në të paktën katër fshatra janë shkatërruar ujësjellësit, kur tubacionet janë hequr dhe shkëputur, ose në raste të tjera janë dëmtuar pjesërisht, dhe këto shkatërrime publike pas zbardhjes së motivit dhe rrethanave të vjedhjeve kanë rezultuar se kanë përfunduar në të gjitha rastet për shkrirje. Policia ka thënë se të paktën 7 persona janë arrestuar nga ana tjetër në qytetin e Korçës për grabitjen, në mënyrë të përsëritur, për të paktën pesë herë radhazi të ish-uzinës mekanike. Sipas të dhënave të Drejtorisë së policisë së Korçës, vjedhjet kanë qenë të shumta në numër për këtë vit, vepra këto që kanë shënuar edhe një bum krahasuar me vitet e tjera, duke kapur shifra rekord për këtë vit. Sipas policisë, çdo ditë ka denoncime për vjedhje. Kryesisht në zonat rurale objektet e braktisura, ish-ndërmarrjet, ujësjellësit e vjetër dhe minierat, kanë qenë edhe objektet e parapëlqyera për vjedhjen e "lëndës së parë" që furnizon, edhe pse më të ardhura të pakta, persona të caktuar dhe familjet e zonave rurale. Ndryshe nga zonat rurale, ku për qëllime fitimi vjedhjet për skrap kanë ardhur si rrjedhojë e mungesës së punësimit apo për shkak të problemeve të mprehta ekonomike, në qytet situata ka qenë edhe më e rëndë. Nga të dhënat rezulton se monumentet, bustet, apo veprat publike, të cilat janë bërë pre e këtyre vjedhjeve, kanë pasur si prapavijë të rinj përdorues të drogës. Burime zyrtare të policisë së Korçës kanë thënë se janë të rinj nga 19-25 vjeç që kanë kryer edhe vjedhjet më të shumta të dokumentuara, por ndërsa shumë pak janë persona me vështirësi ekonomike që nuk kursejnë as germat mbi buste dhe as kapakët e pusetave, pjesa dominuese janë përdorues të lëndëve narkotike. Fitimi nga skrapi shkon për blerje të drogave të lehta. Nga shumë vjedhje, të cilat të dokumentuara kanë çuar policinë drejt prangosjes së autorëve, ka ardhur nga pas edhe një fazë e dytë nga konkluzionet e hetimeve.